Qindra vende parkimi në Durrës janë të bllokuara për shkak të zënies së tyre prej makinave të braktisura nga pronarët. Automjetet qëndrojnë në të njëjtin vend prej muajsh, madje dhe vitesh duke u kthyer edhe në vatër ndotjeje.

Në një qytet ku kaosi me parkimet është një sfidë e përdiitshme për këdo qytetar që disponon një automjet, autoritetet lokale nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të gjetur zgjidhje reale për menaxhimin e parkimeve në akset e qytetit.

Në kryeqytet, në muajin shtator, bashkia nxorri një urdhër që makinat e braktisura prej vitesh ne rrugët e Tiranës do të hiqen. Qytetarëve ju la vetëm një muaj kohë për t’i zhvendosur vullnetarisht, në të kundërt Policia Bashkiake do t’i largojë me karrotrec.

A nuk do të ishte mirë që një nismë e tillë të zbatohej edhe në Durrës? Por është fakt që Policia Bashkiake e qytetit bregdetar nuk disponon karrotrec dhe kjo mund të jetë një “pengesë” e madhe për bashkinë për të vepruar njësoj si Tirana.

Megjithëse janë përcaktuar nga bashkia dhe Këshilli Bashkiak shtatë sheshe të destinuara për parkim me pagesë, numri i tyre mbetet shumë i vogël krahasuar me fluksin e përditshëm të automjeteve në Durrës, ndërsa situata bëhet edhe më kaotike gjatë sezonit veror, kur numri i makinave rritet ndjeshëm.

Parkimi publik me gati 400 vende tek Stacioni i Trenit ende nuk ka përfunduar së ndërtuari, megjithëse duhej të dorëzohej që në muajin prill.

Ndërkohë, projekti për zonat e administrimit A dhe B dhe tarifat për parkim me pagesë, si në sheshe ashtu edhe në rrugët e qytetit, që u miratuan në qershor 2024 në Këshill Bashkiak ende nuk dihet se kur do të nisë të zbatohet.

Derisa Bashkia të vendosë të zbatojë një plan real për menaxhimin e parkimeve, qytetarët e Durrësit do të vijojnë të paguajnë çmimin e kaosit urban çdo ditë.

M.B.