29 prill 2015 – Protestat e dhunshme për vrasjen e njerëzve me ngjyrë që pretendohet se janë bërë qëllimisht nga efektivët e policisë si shprehje e hapur e racizmit në Baltimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë shkaktuar një bilanc të frikshëm, të ngjashëm me atë që të lë një betejë lufte.
Sipas medieve amerikane, dhjetëra persona u plagosën, 200 u arrestuan, 19 makina u dogjën plotësisht, 144 të tjera u shkatërruan, dyqane të shumta u sulmuan, shkollat u mbyllën, etj.
Këto trazira nisën pas funeralit të 25-vjeçarit afro-amerikan, Freddie Gray, që vdiq pas një jave në koma nga një dëmtim ende i pashpjegueshëm i shtyllës kurrizore, gjatë kohës që ndodhej nën arrest policor në fillim të muajit.
Guvernatori i Shtetit Maryland, Larry Hogan, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe aktivizoi 5 mijë ushtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar në rivendosjen e rendit.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/