ITALI – Policia italiane ka mundur të sekuestrojë në portin e Brindizit 15 kile heroinë, ndërsa ka vënë në pranga 5 persona, mes tyre 4 shtetas shqiptarë. Siç raportojnë mediat italiane sasia e madhe e drogës ka mbërritur në portin e Brindizit me një peshkarexhë shqiptare, "Durrësi II", në të cilën ndodheshin shtetasit Rustem Mustafa, 54 vjeç (kapiteni i peshkarexhës), Kadri Cami, 66 vjeç, Ferdinant Shkurti, 49 vjeç dhe Avni Ceka, 60 vjeç. Rustem Mustafa dhe Ferdinant Shkurti janë peshkatarë nga Durrësi, ndërsa Avni Ceka nga Tirana dhe Kadri Cami nga Dibra.
Ndërkohë në pranga ka përfunduar edhe shtetasi italian Teodoro Di Lauro, me precedentë penalë. Operacioni i policisë italiane ka nisur pasditen e djeshme, pas një sinjalizimi të marrë nga një nga patrullat që operonin në terren. Karabinierët kanë mbajtur nën vëzhgim shtetasin Di Lauro, nga Brindizi, i cili ndodhej në shoqëri të disa personave të njohur për lidhjet e tyre me organizatat mafioze. Di Lauro ndodhej në një automjet tip Ford Fiesta me të cilën është vënë më vonë në lëvizje drejt portit të Brindizit. Në molin Feltrinelli ai ka marrë një çantë të madhe që ka vënë në lëvizje policinë.
Karabinierët kanë hyrë në aksion menjëherë dhe kanë arrestuar shtetasin brindizin dhe 4 shqiptarët që ndodheshin në mol. Brenda çantës që policia i sekuestroi Di Lauros ndodheshin 28 pako me heroinë. Policia e Brindizit ka deklaruar se kjo është sasia më e madhe e heroinës e konfiskuar në këtë zonë gjatë viteve të fundit.
Në shtëpinë e Di Lauros karabinierët kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të tipit Tocarev dhe një sasi të kosiderueshme fishekësh. 5 të ndaluarit janë shoqëruar në burgun e Brindizit dhe mbi ta rëndon akuza e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.





