ITALI, 09 mars 2013 – Autoritetet italiane prangosën dy shtetas shqiptarë, të cilët u kapën në flagrancë me 15 kg drogë.

Siç bëjnë të ditur mediat e shtetit fqinj, shqiptarët e moshës 37 dhe 29 vjeç ishin vëzhguar për një kohë të gjatë nga policia, e cila kishte marrë informacione se ata shpërndanin drogë në zonën e Sirmiones. 

Pas hetimeve, policia zbuloi se shqiptarët lëviznin shpesh në dy apartamente të ndryshme, në njërin prej të cilëve mbanin të fshehur lëndën narkotike dhe e përgatisnin atë për shitje.

Pas kontrollit, policia gjeti në apartament rreth 15 kg drogë të llojit kokainë, peshore elektronike, dhe materiale që përdoreshin për ndarjen e drogës në doza. 

Policia sekuestroi edhe 4 makinat e shqiptarëve, që dyshohet se përdoreshin për shpërndarjen e lëndës narkotike. 

Momentalisht nuk bëhet i ditur identiteti i të arrestuarve, ndërkohë që policia italiane po punon për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku.