Ekuador, 9 korrik 2014 – Operacioni anti drogë i DEA-s amerikane dhe policisë ekuadoriane i quajtur “Zafiri” arriti të sekuestrojë 201, 5 kg. kokainë puro me destinacion portin e Durrësit.
Gjatë këtij operacioni, policia ekuadoriane sekuestroi edhe para, dokumenta të ndryshme, makina të markave dhe tipeve të ndryshme, disa celularë, disa armë zjarri të mbajtura pa leje si edhe pajisje për modifikimin e kontejnerëve të zakonshëm dhe atyre të pajisur me sistemin genset (frigo – kontejner).
Në kuadrin e këtij operacioni janë kapur edhe sasi të tjera droge me destinacion Shqipërinë, por që do kalonin tranzit në Spanjë, Itali (portin e Livornos dhe Xhoja Tauros).
Policia ekuadoriane, në 18 maj 2014, sekuestroi në një kontejner me destinacion Durrësin 89 kg kokinë të pastër.
Në 26 maj 2014, u sekuestruan 113 kg hidroklorid kokaine me destinacion tranzit portin spanjoll të Marin Pontevedra-s.
Gjatë operacionit “Zafiri” u arrestuan edhe 17 persona, pjesë e grupit kriminal që organizoi këtë trafik kokaine në aksin nga Ekuadori, Porti i Guajakilit (Guayaquil) për në Shqipëri, porti i Durrësit.
Të ndaluarit janë: Miguel C.A., Juan Z.M., Christian A.A., Secong CH.S., Victor G.N., G.S. Carlos, I.M. Francisco, V.S. Oscar, A.B. Richard, L.V. Wilmer, S.G. Darwin, S.M. Luis, G.S. Angel, T.P. Angel, C.P. Javier, Y.Z. Luis dhe shtetasi hollandez Carlos M. Jesus.
Në operacionin antikokainë “Balcanos” u arrestuan edhe tre shqiptarë. Ata janë: Lulëzim M., 35 vjeç me dy pasaporta të ndryshme, Pelivan R. si edhe Remzi A., 33 vjeç shqiptar Kosove dhe greku loannis D., 31 vjeç, i dyshuar si shqiptar etnik.
Në gjithë këto kuintalë kokaine të kapur në 2 kontinente të bie në sy fakti që DEA amerikane bashkëpunon me policinë ekuadoriane, me rojen civile spanjolle, me financën italiane, me doganat malazeze, por vetëm me policinë shqiptare nuk bashkëpunon . Të jetë vallë koincidencë apo mos ndoshta bashkëpunimi me policinë shqiptare mund të mos jetë shumë i frytshëm për DEA-n amerikane?!
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





