24 nëntor 2013- Janë arrestuar pranë një magazine në Prrenjas tre prej të arratisurve mbrëmjen e djeshme nga burgu i Drenovës në Korçë. Mes tre të arrestuarve është edhe Admir Tafili i kërkuari kryesor. Dy të arraestuarit e tjerë janë Gëzim Toma e Fran Marashi. Ndërkohë mbeten ende në arrati edhe 3 të dënuarit e tjerë Gëzim Guri, Reiz Haxhiraj dhe Eduard Lula.Ndërkohë që në pranga janë vënë edhe disa prej oficerëve të policisë që ndodheshin në shërbim në momentin kur ka ndodhur arratisja. Emrat e disa prej policëve që janë vënë në pranga janë: Gjergji Këllezi, Mondi Qarri, Riza Spaho, Tefo Gjençi, me detyrë përgjegjës i turnit.
Arratisja nga burgu, policia arreston dy persona si organizatore
Arrestohen dy persona të dyshuar si organizatorë të arratisjes së të dënuarve nga burgu i Drenovës. Policia bën të ditur se në pranga kanë rënë shtetasit Albi Meçini dhe Olsion Maçi. Arrestimi i tyre është bërë nga policia e Elbasanit rreth orës 02:30 të mëngjesit të sotëm në hyrje të qytetit të Elbasanit, ndërsa të rinjtë po udhëtonin me një makinë tip “Seat”, ngjyrë gri me targa AA 389GYm. Nga hetimet makina ka rezultuar të jetë në pronësi të shtetasit, Dritan Peçani, i cili njihet si mik i ngushtë i njërit prej të arratisurve, Admir Tafili. Të arrestuarit janë transportuar për në qytetin e Korçës, ku dhe po zhvillohen hetimet për ngjarjen e rëndë.
Mësohet se 7 të burgosurit kanë marrë dënime të rënda nga drejtësia, ndërsa katër prej tyre me burgim të përjetshëm. Arratisja e 7 të burgosurve me rrezikshmëri të lartë shoqërore ka bërë që forca të shumta policore të vihen në ndjekje të tyre. Ndërkohë që në ndihmë të policisë së Korçës kanë shkuar forcat speciale nga Tirana, RENEA dhe FNSH.
Ndalohen 4 të dyshuar si ndihmës të 7 të arratisurve nga burgu
Policia e Korçës mësohet se ka ndaluar gjatë mëngjesit të sotëm edhe katër persona të tjerë të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në arratisjen e shtatë të dënuarve të burgut të sigurisë së lartë. Të katër të ndaluarit mësohet se nuk janë nga zona e Korçës. Ndërkaq mëngjesin e sotëm janë gjetur edhe dy makina, me të cilat kanë lëvizur të dënuarit gjatë natës. Makinat janë gjetur të braktisura.





