Angli, 13 gusht 2014 – Dje mediat spanjolle dhe jo vetëm dhanë lajmin për arrestimin e një bande ndërkombëtare me 72 anëtarë, që merrej me tranzitimin e emigrantëve klandestinë shqiptarë nëpërmjet Spanjës drejt Anglisë. Sot mediat hollandeze japin lajmin e kapjes së katër shqiprëve të fshehur në karrocerinë e një kamioni me destinacion portin anglez të Felixstowe-s.

Policia mbretërore hollandeze, e pajisur me qen, zbuloi katër klandestinë shqiptarë të moshave nga 21-31 vjeç, të fshehur në karrocerinë e një kamioni. Kamioni u kontrollua në portin hollandez të Vlaardingen-it para se të imbarkohej në tragetin e kompanisë DFDS Seaways për në Angli.

Policia po vazhdon hetimet për bandën shqiptare, që merret me dërgimin e klandestinëve në Angli nga portet hollandeze.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/