DURRES, 08 mars 2013 – Kapet një sasi prej 422 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa në portin e Durrësit. Ky është rasti i tretë në harkun kohor të pak ditëve që zbulohet sasi e konsiderueshme lënde narkotike me destinacion Italinë. Sipas burimeve policore lënda narkotike ishte e ndarë në 268 pako dhe ishte fshehur në dyshemenë e një autobuzi me targa TR 9564 L, që priste të imbarkohej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari.
Policia e Durrësit bën të ditur se ka ndaluar rreth orës 05.30, tw mëngjesit të sotëm, drejtuesin e mjetit, 36 vjeçarin Albano Feraizi, nga Tirana. Mbi të rëndon akuza "trafikim lëndësh narkotike". Policia njofton se ka nisur hetimet për të zbuluar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me trafikun e lëndës narkotike që u kap një natë më parë në port.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





