DURRES – Policia kufitare e portit të Durrësit ka zbuluar pasditen e sotme 800 kg lëndë narkotike në një trajler që transportonte tulla për në vendin fqinjë, Itali.

Lënda narkotike dyshohet të jetë e llojit kannabis sativa. Sasia e drogës është gjetur gjatë kontrollit që është ushtruar në trajlerin me targa DR 1154 F.

Lënda narkotike ishte fshehur mes tullave që ndodheshin në trajlerin që do të imbarkohej në tragetin e linjës Durrës – Ankona. 

Policia ka arrestuar drejtuesin e trajlerit, shtetasin Armir Mehmeti, 40 vjeç, nga Durrësi, i cili pritet të merret në pyetje për të dhënë më tepër hollësi për ngjarjen. 

Policia e Durrësit kishte marrë informacion në rrugë operative se në trajlerin në fjalë gjendej një sasi e konsiderueshme droge.