10 shtator 2015 – Policia e Durrësit në bashkëpunim me atë të Krujës, kanë zbuluar një arsenal me armë dhe një sasi droge gjithashtu, dukë vënë në pranga 3 persona.
Pjetër Shota 56 vjeç, Ilir Shota 35 vjeç, të dy banues në Mallkuç të Krujës dhe Marios Paluçi 24 vjeç, nga Hamallaj e Durrësit u arrestuan, pasi fillimisht u kapën në flagrancë dy të rinjtë me drogë në makinë.
Ditën e djeshme, më 9 shtator, në fshatin Radë të Durrësit, policia ndalon Ilir Shotën, i cili po ngsite mjetin tip Fiat Panda me targa AA268LB dhe gjatë një kontrolli në bagazhin e makinës, zbulohen 5 kg kanabis sativa. Në makinën e Shotës ndodhej gjithashtu dhe 24-vjeçari nga Hamallaj, dhe të dy ata u arrestuan në flagrancë për posedimin e lëndës narkotike. Sasia e drogës së bashku me makinën u sekuestruan.
Ndërsa, pas arrestimit të dy të rinjve, specialistët për Krimet ushtrojnë një kontroll në banesën e Pjetër Shotës, ku u zbuluan arsenali i armëvë së bashku me 136 fishekë.
Në banesën e Pjetër Shotës u zbulua dhe u sekuestrua:
•një armë zjarri, tip automatik model 56, me kalibër 7.62mm;
•një armë zjarri, tip pushkë model 63, me kalibër 7.62 mm;
•një armë gjahu, tip çifte;
•gjashtë krehëra automatiku model 56, me 95 fishekë, me kalibër 7.62 mm;
•dy krehëra me 40 fishekë, model 54, me kalibër 7.62 mm.
Për arsenalin e armëve që mbante në shtëpi, Pjetër Shota do të dalë para drejtësisë nën akuzën e “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, ndërsa Ilir Shota së bashku me Marios Paluçin akuzohen për “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.
/S.L. portali DurresLajm/





