Një ngarkesë e konsiderueshme kokaine me vlerë rreth 10.3 milionë euro që kishte si destinacion Durrësin, është kapur në portin e Maltës.
Pas një operacioni shumë orësh që nisi që të dielën dhe përfundoi mëngjesin e kësaj të hëne, departamenti i doganës sekuestroi 91.25 kg kokainë të fshehur brenda tre kontejnerëve në Freeport, raporton “DurrësLajm” duke iu referuar medieve malteze. Droga ishte paketuar në 76 paketa me peshë totale 91.25 kg.
Nëse do të hidhej në treg, sasi e kokainës do të kapte vlerën e rreth 10.3 milionë eurove.
Kontejneri i parë dhe i tretë kishin mbërritur në Maltë nga Amerika e Jugut dhe do të vazhdonin rrugën drejt Durrësit, në Shqipëri. Ndërsa kontejneri i dytë, gjithashtu nga Amerika e Jugut, do të nisej drejt Selanikut të Greqisë.
“Në kontejnerin e parë kishte 20 pako kokaine, të cilat peshonin 24 kg në vlerë prej 2.7 milionë euro, në të dytin ishin 40 paketime me peshë 48 kg në vlerë 5.4 milionë euro, ndërsa në kontejnerin e tretë, ishin 16 pako që përmbanin 19.25 kg kokainë me vlerë 2.2 milionë euro”, raportojnë mediat.
Vijojnë hetimet ndërkohë për zbulimin e personave të përfshirë në trafik.
Gjatë këtij viti në doganat e Maltës janë sekuestruar 606.45 kg kokainë me një vlerë prej 68.2 milionë euro.





