MAQEDONI, 1 qershor 2013 – Policia e Maqedonisë në koordinim me Drejtorinë e Doganave, ka ndërprerë një kanal ndërkombëtar për trafikim të paligjshëm me marihuanë në relacionin Shqipëri-Maqedoni, me destinacion përfundimtar në Kroaci.
Gjatë aksionit janë konfiskuar rreth 23,5 kilogram marihuanë me cilësi të lartë, transmetojnë mediat në vend.
Në këtë aksion janë të përzier një Kroat, një banor i Tetovës, një i Dibrës dhe një polic.
Sipas policisë, mbrëmë në orën 2:50 në Shkup është ndaluar një automjet transportues me targa kroate i drejtuar nga personi XH. S (59) shtetas i Kroacisë, në kabinën e automjetit të së cilit u zbulua një valixhe e zezë në të cilën ka pasur shtatë pako me forma të ndryshme të mbushura me materie të panjohur bimore.
Janë zbuluar edhe dy valixhe udhëtimi në të cilën ka pasur paketime polietileni me forma të ndryshme të mbushura me materie bimore të panjohur.
Padi penale do të ngritet kundër personave K.I. S.S, XH.S dhe M.R për shkak ekzistimit të dyshimit se kanë kryer vepër penale "Prodhim i paautorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekusorëve".





