Një tjetër ngarkesë me perime nga Shqipëria është bllokuar në Kroaci, për shkak të përmbajtjes së pesticideve të ndaluara.

Ngarkesa përbëhej nga speca, të cilët pas analizave rezultuan me mbetje të Flonicamidit, Chlorfenapyr dhe Tebufenpyrad, substanca kimike të ndaluara në tregjet e Bashkimit Europian përtej niveleve të lejuara.

Lajmi është bërë publik nga burime pranë autoriteteve kroate të kontrollit ushqimor, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në Shqipëri.

Aktualisht, nuk dihet se sa ishte sasia e ngarkesës së bllokuar, ndërsa pritet që institucionet shqiptare të reagojnë për këtë rast, i cili vjen në një periudhë të ndjeshme për eksportet bujqësore shqiptare drejt tregjeve të BE-së.

Ngjarja vjen pas disa rasteve të ngjashme gjatë muajve të fundit, ku produkte të tjera bujqësore nga Shqipëria janë kthyer mbrapsht nga vende si Kroacia, Italia dhe Greqia, për shkak të pesticideve jashtë normave të lejuara.

Kujtojmë se sipas sistemit të RASFF (Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë në BE), Shqipëria rezulton mes vendeve me numrin më të lartë të paralajmërimeve për produktet bujqësore me mbetje të rrezikshme kimike.