Itali, 13 qershor 2014  – Roja e Financës italiane nga baza detare e Tarantos deri në Foxhia (Foggia) ishte në alarm të mërkurën, sepse kishte marrë informacion nga kolegët e vet të stacionuar në Durrës për një sasi të madhe kanabisi, që pritej të mbërrinte në Itali, në veri të Barit. Kanabisi do të transportohej me motoskaf të shpejtë i nisur nga një pikë në bregdetin shqiptar pak milje në veri të portit të Durrësit.

Operacioni i kombinuar aero-detar i finacierëve italianë i dha frytet e veta. Të mërkurën në darkë rreth 30 milje larg bregut italian, motovedetat italiane të mbështetur nga një helikoptar arritën të bllokojnë një skaf gjigand tip “Italcraft 35”, me motorë të fuqishëm 270 k/f.

Në skaf u sekuestruan 1085 kg kanabis shqiptar. Vlera e drogës me çmim pakice shkon në 10 milion euro. Besohet se droga vjen nga plantacionet e kanabisit në Shqipërinë e veriut, jo nga plantacionet e famshme të Komunës Lazarat në jug të vendit. U arrestuan në kushtet e flagrancës dy skafistët, D.C. 45 vjeç, italian me precedentë penalë, banues në qytetin e Manfredonias, dhe shqiptari 24 vjeçar Islam Shehe.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/