18 persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa 9 të tjerë janë proceduar penalisht, pas një operacioni ndërkombëtar antidrogë ku u sekuestrua 1 ton marijuanë. Operacioni i mbështetur nga policia europiane, Europol, dhe i kryer nga policia spanjolle dhe ajo gjermane, shkatërroi një grup të organizuar kriminal të trafikut të drogës dhe aktiviteteve të tjera të jashtëligjshme në Bashkimin Europian. Përveç sasisë prej 1 ton marijuanë, autoritetet sekuestruan gjithashtu 212 mijë euro kesh, armë zjarri, municione dhe 8 automjete.

Anëtarët e kësaj organizate kriminale u arrestuan dhe u morën në pyetje nga policia. Ata janë nga 8 shtetet të ndryshme: Shqipëria, Gjermania, Kroacia, Spanja, Armenia, Serbia, Siria dhe Turqia.

Gjatë operacionit të nisur Qershorin e shkuar, autoritetet europiane zbuluan 2 fabrika kanabisi, ndërsa dy oficerë të policisë spanjolle mësohet se mbetën të plagosur rëndë gjatë kapjes së një prej anëtarëve të kësaj bande.