Policia e Durrësit ka kapur një 28-vjeçar në kërkim ndërkombëtar, i cili akuzohet nga autoritetet spanjolle, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Gjatë operacionit të koduar “Ghost”, u kap në Durrës dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi I. M., 28 vjeç, banues në fshatin Likmetaj, Durrës, i cili rrezikon një dënim deri në 26 vite burg.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Madritit, Spanjë, me vendimin e datës 28.12.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, sipas Kodit Penal të Spanjës. Për këto vepra, dënimi maksimal që parashikohet është 26 vjet burgim.

Interpol Tirana dhe Interpol Madridi do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Spanjë.