Finalizohet operacioni “Kontakt”, për kapjen e personave në kërkim, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2.
Kapet dhe vihet në pranga një person i shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje” mbetur në tentativë, si dhe personi që e strehonte.
Gjithashtu, gjatë operacionit, është vënë në pranga një oficer policie që u kap në banesë me personin në kërkim.
Sekuestrohen lëndë narkotike dhe një shumë parash të përfituara nga shitja e saj.
NJOFTIMI I PLOTË
Nga ana e strukturave per Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi të kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë, u zhvillua operacioni “Kontakt”. Si rezultat i veprimeve të kryera, në rrugën “Ndre Mjeda” u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Arbër Balliu, 32 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim në vitin 2019, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tirane, pasi Gjykata pranë Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2019, dyshohet se ka tentuar të vrasë shtetasin E. K.
Gjatë operacionit, në momentin e kapjes në flagrancë nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ishte në banesë me oficerin e Policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shtetasin:
Demiraldo Heta, 30 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë nga strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Gjithashtu, gjatë operacionit, bazuar në informacionet se shtetasi në kërkim A. B. posedonte edhe një banesë tjetër, është ushtruar kontroll në ambientet e saj, ku është konstatuar një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 2.3 kilogramë.
Në momentin e kontrollit në banesën tjetër që dispononte personi në kërkim është gjetur duke paketuar lëndë narkotike shtetasi:
Igli Pojana, 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 250.000 lekë të rinj, që dyshohet se këta persona i kanë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Materialet proceduariale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.





