DURRES, 3 korrik 2013 – Forcat e policisë kanë shkatërruar një grup kriminal  aktiv  në drejtim të vjedhjes me dhunë e armë të disa kazinove në qytetin e Krujës e Fushë-Krujës.

Sipas policisë,  personat e arrestuar kanë kryer një seri grabitjesh,  nën kërcënimin e armëve duke marrë shuma të konsiderueshme parash.

Të arrestuarit  janë Mentor Çangu, 20 vjeç, banues në fshatin Nikel  Krujë,  Fatjon Gjeta, 19 vjeç, banues në fshatin Gziq të rrethi Mirditë,  Romario Shtinja, 18 vjeç, banues në qytetin e Rreshenit, si dhe Jetmir Xhixha, 22 vjeç, banues në fshatin Arameras të Bashkisë Fushë-Krujë.

Këta shtetas akuzohen nga policia se në bashkëpunim me  njëri-tjetrin, tre ditë më parë, rreth orës 04.15 minuta,  tek Kazino “Merkur” në qytetin e Fushë-Krujës, të maskuar e armatosur kanë hyrë forcërisht, duke kërcënuar rojen e lokalit,  në ambjentet e kazinosë.

Ndërsa më pas mësohet se kanë marrë shumën prej 130 mijë lekë të reja dhe kanë shkatërruar ambjentin ku kanë kryer grabitjen.  

Nga të dhënat e para të mbledhura në vendngjarje, policia bën me dije se ka prova të mjaftueshme që implikojnë shtetasit Mentor Çangu dhe Fatjon Gjeta si  bashkautorë, edhe të një tjetër vjedhje me dhunë e kryer  më  12 qershor të këtij viti në të njëjtën kazino, me të njërin mekanizëm ngjarje.

Nga ana e policisë u kryen një sërë veprimesh proceduriale lidhur me këto ngjarje në funksion të dokumentimit ligjor të tyre, të cilat çuan drejt sekuestrimit për llogari të këtij hetimi të shumës prej 120 mijë lekë të reja si dhe maskën e  përdorur nga njëri  prej autorëve të grabitjes.   

Gjatë veprimeve proceduriale të kryera, zëdhënsia e policisë së Durrësit Ornela Cako, bën me dije se shtetasit  e arrestuar e kanë pranuar autorësinë e ngjarjeve të ndodhura në kohë të ndryshme, por në të njëtën kazino.

Ndërkaq, Cako sqaron se  Mentor Çangu, i arrestuar nga policia ishte i punësuar si badigurd në kazinonë e grabitur dhe se vjedhjet në fjalë ai i ka konsumuar duke kërcënuar kolegun e tij.  Me përfundimin e veprimeve të para materialet iu përcollën  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Vjedhje me armë, kryer në bashkëpunim”, “Vjedhje me dhunë kryer në bashkëpunim” dhe ”Mbajtje pa leje e armëve  luftarake”.

Në përfundim të operacionit, policia bën me dije se kemi të bëjmë me një rrjet të mirëorganizuar, që përveçse shfrytëzonin orët e para të mëngjesit për të grabitur, kërcënonin dhe dëmtonin ambjentet e vendit ku dhe kryenin këtë vepër penale.

Në vijim të informacionit mbi goditjen e grupit kriminal të vjedhjes me armë të kazinove në qytetin e Fushë Krujës, policia e Durrësit ka deklaruar se:

Gjatë kryerjes së veprimeve proceduriale, e konkretisht kontrolleve të ambienteve, në banesën e shtetasit  Jetmir Xhixha, 22 vjeç, banues në Arameras Fushë-Krujë, në pjesën e pasme të oborrit u gjetën 19 rrënjë bimë me veçori të ngjashme me Cannabis Sativën.

Lidhur me rastin, në orën 09.00  u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit në fjalë dhe materialet shtesë për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Krujë.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/