· Gjykata e Apelit Firence Itali, me vendim nr. 3566/09 datë 12 tetor 2011 e dënoi Dashamir Shqalshin me 10 vjet e gjysmë heqje lirie për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafik droge
DURRËS, 28 janar 2014 –Ishte implikuar në krimin e organizuar dhe merrej me narko-trafik në “Çizme”, blutë e Durrësit realizuan kapjen e të shpallurit në kërkim ndërkombëtar të një durrsaku të dënuar nga togat e zeza italiane me 10 vjet e gjysmë privim lirie. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 27 janar 2014, ora 20.00 u kap Dashamir Shqalshi (Nikolla), 29 vjeç, banues në lagjen nr. 16, Durrës. Për 29-vjeçarin kishte një urdhër arresti provizor me nr. A-63/1-2014, shpallur më 2 janar 2014 nga drejtësia “trengjyrëshe”. Gjykata e Apelit e Firences, me vendim nr. 3566/09 datë 12 tetor 2011, e ka dënuar me 10 vjet e 6 muaj heqje lirie për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafik lëndësh narkotike. Durrsaku ishte arratisur nga vendi i dënimit. Të shpallurit në kërkim ndërkombëtar i kanë mbetur për të kryer edhe 6 vjet, 5 muaj e 8 ditë burg, thanë forcat e zbatimit të ligjit në Durrës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





