Një 30-vjeçar ka përfundur në pranga, pasi është kapur me rreth 78 kg drogë.
Policia e Fierit bën me dije se në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Marinza”, në dalje të qytetit të Roskovecit, në orën 04:00, mbi bazën e informacionit të marrë, u ndalua mjeti Furgon i tipit “Fiat”, me targa AF 670 RB.
Nga kontrolli i ushtruar në mjet në pjesën e pasme u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi materiali bimor i dyshuar lëndë narkotike Kanabis Sativa, e ndarë në 73 pako të mbështjella me natriban me peshë rreth 78 kg.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se lënda e dyshuar narkotike ishte e presuar në pako dhe e mbështjellë posaçërisht me qëllim për t’u trafikuar më pas jashtë vendit me destinacion Italinë.
Po kështu janë kryer verifikime edhe për automjetin Furgon të markës “Fiat” me targa AF 670 RB, ku nga verifikimet paraprake dyshohet se është i trafikuar në Shqipëri.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestua në flagrancë drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale F. T., banues në fshatin Velmish, Roskovec.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 78 kg lëndë narkotike e dyshuar Kanabis Sativa, automjeti tip Fiat dhe 3 aparate telefoni celularë.
Policia po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikim i lëndëve narkotike” i mbetur në tentativë dhe “Trafikim i mjeteve motorike”.





