Dy persona janë arrestuar mëngjesin e kësaj të shtune pasi janë kapur me një gomone 15 metra të gjatë me 1.500 kg drogë, përzierje mes marijuanës dhe hashashit, në brigjet puljeze të Brindisit. 

Mësohet se dy të rinjtë vendas janë prangosur teksa shkarkonin sasinë e narkotikëve nga mjeti lundrues me dy motorë të fuqishëm prej 300 kuajsh fuqi, në sajë të operacioneve të intensifikuara të kontrollit dhe parandalimit të trafikut të narkotikëve nga karabinierët e Monopolit. 

Forcat ushtarake që ishin në monitorim të vazhdueshëm të vijës bregdetare nga Bari deri në Brindisi, kishin pikasur aktivitetin e paligjshëm që shpesh përdor pikërisht itinerarin e detit Adriatik për t’iu afruar brigjeve puljeze, kryesisht nisur nga Shqipëria apo edhe vende të tjera të Ballkanit.

Trafikantët kishin mbërritur në bregdetin e “Torre Canne”, aq shumë të preferuar prej turistëve për plazhet e famshme.