Parandalohet një rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, falë kontrollit të rreptë në kufirin e gjelbër, në kuadër edhe të operacionit FRONTEX.
Nga burimet zyrtare mësohet se është arrestuar në flagrancë një shtetas, shpallur në kërkim një nga Durrësi si dhe është proceduar në gjendje të lirë një tjetër.
NJOFTIMI I POLICISË
Si rezultat i kontrollit të brezit të gjelbër, me qëllim goditjen e veprimtarive të paligjshme, shërbimet e kufirit të gjelbër Kakavijë dhe ato të Frontex-it, në fushat e fshatit Bularat, Dropull kapën shtetasin R. G. 44 vjeç, banues në fshatin Veliten, Maliq, i cili ishte duke pritur disa shtetas sirianë për t'i transportuar në drejtim të Tiranës.
Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër rezultoi se shtetasi i mësipërm bashkëpunonte me dy shtetas të tjerë për të transportuar shtetasit sirianë në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 200 euro për secilin.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. B., banues në Durrës dhe vijon puna për kapjen e tij, si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi L. L., banues në fshatin Veliten, Maliq.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale "Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim".





