Policia e Kosovës konfiskoi në pikën kufitare në Vërmicë, mbrëmë rreth orës 00:30, kartëmonedha të falsifikuara me vlerë 2 milion € (2.13 milionë $), sasia më e madhe e kapur kjo në pothuajse 2 dekada dhe si rezultat u vunë në pranga 2 persona.
Në një deklaratë, policia tha se të dyshuarit, një kamerunas dhe një shqiptar, u ndaluan nga policia në kufirin me Shqipërinë fqinje në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Kartmonedhat false u gjetën të futura brenda në qese në një taksi me targa të Shqipërisë. Automjeti drejtohej nga shqiptari, ndërsa pasagjer ishte burri nga Kameruni. Kartëmonedhat e falsifikuara ishin të ndara në vlera prej 500, 200, 100 dhe 50 eurosh. Gjithashtu brenda në qese u gjetën 3 mijë fletë të bardha dhe kimikate që përdoren për printimin e parave të rreme
Sipas burimeve policeske, operacioni i konfiskimit është më i madhi i këtij lloji që nga fundi i luftës së vitit 1999 në Kosovë, ku në vitin 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia.
Pavarësisht pranisë së zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE), policisë dhe paqeruajtësve të NATO-s, në kufijtë e Kosovës kontrabanda mbetet një çështje e hapur.
Qeveria në Prishtinë është duke u përpjekur të çrrënjosë krimin e organizuar dhe korrupsionin për të ardhur sa më afër BE-së.
Komunikata e policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës, konkretisht policia kufitare, në PKK Vermicë, në bashkëpunim me zyrtarët Doganorë, më 10.03.2017 rreth orës 00:30, në hyrje për në Republikën e Kosovës, kanë ndaluar automjetin TAXI me targa të Shqipërisë për një kontroll më të detajuar.
Vetura drejtohej nga B.D, i lindur më 1972, mashkull, shtetas i Shqipërisë dhe pasagjer kishte: F.B, i lindur më 1980, mashkull, shtetas i Kamerunit, me leje qëndrimi në Francë.
Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarë të të 2 institucioneve, në bagazh të automjetit në një çantë, në brendësi të saj janë gjetur paketime të ndryshme kartëmonedhash të dyshuara si të falsifikuara me vlerën e: 500, 200, 100 dhe 50 euro. Po ashtu, së bashku me to është gjetur edhe letër e paketuar dhe e prerë në dimensione që i përgjigjen masës së kartëmonedhave: 500, 200, 100, 50 euro.
Pas numërimit të kartëmonedhave të falsifikuara, rezulton të jenë: dy milion e njëqind e tridhjetë e një mijë (2.131.000) euro, si dhe dy mijë e shtatëqind e tridhjetë e tre (2733) copë letër e bardhë që do të përdorej për përpunimin e kartëmonedhës 500 euroshe.
Policia si provë materiale ka konfiskuar kartëmonedhat e dyshuara si të falsifikuara, si dhe tetë (8) shishe me preparate kimike që përdoren për falsifikim, tri (3) folija alumini, një pako doreza plastike, dy shiringa, dy pasaporta të Kamerunit, një patentë shoferi dhe një leje qëndrimi për në Francë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit – Departamenti i Krimeve të Rënda në Prizren dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës mbeten të përkushtuara në bashkëpunimin e ndërsjellët me qëllim parandalimin dhe luftimin e të gjitha dukurive negative në vend.