Pas një super aksioni Policia e Durrësit i ka shmangur trafikut ndërkombëtar të narkotikëve mbi 1 ton drogë të llojit kanabis sativa. Sipas policisë kjo është sasia më e madhe e zbuluar dhe bllokuar ndonjëherë në qytetin bregdetar, plot 1 ton e 24 kg kanabis sativa që tentohej të trafikohej drejt Italisë. Sasia e lëndës narkotike u zbulua gjatë një kontrolli në kamionin tip Renault me targa të kokës AA 858 BD dhe targa të karrocerisë AA R 668; mjet i cili priste të imbarkohej në tragetin “Adriatika” të linjës Durrës – Bari.

Hetimet

Oficerët e Policisë së Durrësit, të cilët po hetojnë këtë rast dyshojnë se firma e gurit dhe e tullave, “Volfalba”, mund të ketë kaluar më herët lëndë narkotike përtej Adriatikut ndaj kanë kërkuar nga Dogana t’u vërë në dispozicion të gjitha praktikat që firma e gurit ka bërë kohët e fundit. Burime nga dogana e Durrësit pohuan për gazetën se firma e gurit ka qenë aktive gjatë këtyre muajve të fundit në eksportin e materialeve të ndërtimit siç është guri dekorativ dhe tulla. 

“Vetëm gjatë vitit 2012,- thanë burimet nga dogana,- firma në fjalë ka eksportuar mbi 1 mijë paleta tulla dhe gurë drejt Italisë. Prokuroria e krimeve të rënda që nisi hetimet për rastin në fjalë liroi nga të gjitha akuzat shoferin e trajlerit ku u zbulua droga, shtetasin Besim Çelçima, ndërsa ia ngarkoi ato shtetasit Agim Sula, 38 vjeç nga Manza, i cili, sipas policisë, është siguruesi i mallit.

Burime policore bënë të ditur se sasia e lëndës narkotike është siguruar në veri dhe jo në jug të vendit siç u tha fillimisht, konkretisht është blerë në fshatrat e thella të rrethit të Krujës. Policia ka identifikuar dhe tre persona të tjerë, të cilët mendohet se janë bashkëpunëtorë të Agim Sulës dhe i ka shpallur ata në kërkim. Por ndonëse kanë kaluar mbi 7 ditë nga kapja e drogës, policia nuk ka dijeni për vendndodhjen e tyre, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i tyre për shkak hetimi.

Nga ana tjetër mësohet se 54-vjeçari Agim Sula është person me precedent të mëparshëm kriminal në fusha të ndryshme si vjedhje, armëmbajtje pa leje dhe prishje të rendit dhe qetësisë e megjithatë nuk është dënuar gjatë për këto shkelje. Por këtë radhë 54-vjeçari do të përballet me një dënim të rëndë, pasi iu ngarkua e gjithë përgjegjësia për trafikimin e sasisë së drogës që u gjet mes baletave të gurëve dhe tullave dekorative, që firma e tij transportonte drejt Italisë me trajlerin e kompanisë së transporteve “Diamant” dhe me drejtues shtetasin Besim Çelçima. Ky i fundit që në fillim ka deklaruar në polici se nuk kishte dijeni mbi ekzistencën e lëndës narkotike në mjetin e transportit që ai drejtonte.

“Unë jam thjesht shofer. Nuk është hera e parë që udhëtoj për punë drejt Italisë apo dhe shteteve të tjera të Evropës, pasi ky është profesioni im. Si gjithmonë edhe këtë radhë i kam hipur kamionit dhe jam nisur për rrugë, pa e ditur se në ngarkesë kishte lëndë narkotike. Thjesht i hodha një sy ngarkesës përpara se të nisesha, nuk vura re diçka të dyshimtë dhe mora rrugën. Mbeta i befasuar kur pashë që në mjet nuk ndodheshin vetëm tulla, por brenda tyre ishte fshehur drogë”,- kanë qenë fjalët e drejtuesit të trajlerit, Besim Celçima.

Pasi kanë zbuluar emrat dhe lidhjet mes trafikantëve këtu në Shqipëri, policia po mundohet të identifikojë dhe bashkëpunëtorët e tjerë në Itali. Nga hetimet e deritanishme rezulton se lënda narkotike kishte si destinancion fillestar jugun e shtetit fqinj, konkretisht qytetin e Leçes, ndërsa më pas nga aty do të shpërndahej në sasi më të vogla në qytete të ndryshme të vendit. Sasia prej 1 ton e 24 kg është sasia më e madhe e kapur në Durrës. Vlera fillestare e mallit llogaritet në rreth 2 milion euro. Megjithëse janë shtuar ndjeshëm rastet e goditjes ndaj kultivuesve dhe trafikantëve nga ana e policisë tendenca për të kaluar lëndë narkotike nga porti i Durrësit mbetet e lartë.