9 tetor 2015 – Një 31-vjeçar kishte gjetur një mënyrë mashtrimi me kartëmonedha false, jepte euro false dhe në këmbim merrte lekë shqiptare. Ai u zbulua dhe u arrestua pas denoncimit të një shtetaseje. Në kuadër të operacionit të koduar “Pacienti i rremë”, policia e Tiranës vuri në pranga Ylli Trocin, nga Dibra.
Troci ka mashtruar 57-vjeçaren N. G. në ambientet e Spitalit të Traumës, duke i kërkuar të shkëmbejë 150 euro (3 kartëmonedha 50 euroshe), që sipas tij i duheshin para shqiptare për t’ia dhënë mjekëve. Në këmbim ajo i ka dhënë Trocit 25 mijë lekë të rinj. Pasi është larguar, 57-vjeçarja ka konstatuar se kartmonedhat ishin false dhe ka shkuar në polici për ta denoncuar.
Pas hetimeve të menjëhershme, policia bëri të mundur identifikimin dhe kapjen e Ylli Trocit. Nga veprimet e kryera, u konstatua se 31-vjeçari nga Dibra është autor edhe i 14 ngjarjeve të tjera të dokumentuara me të njëjtën formë mashtrimi.
/S.L. portali DurresLajm/