Ka marrë fund arratia 23-vjeçare e një vrasësi shqiptar që fshihej në Angli. Skuadra e ekstradimeve në policinë metropolitane londineze ka mundur të arrestojë vrasësin Dëfrim Isiberi. Isiberi ishte listuar nga Interpol Tirana si një prej shqiptarëve më të kërkuar në botë.

Në vitin 1997, te hotel “Gjallica” në Kukës ai goditi, me armë për vdekje një roje sigurie, i cili disa muaj më pas ndërroi jetë në spital. Dëfrim Isiberi në vitin 1997, do të futej ilegalisht në Angli ndërkohë që drejtësia shqiptare e dënoi në mungesë me 20 vite burg.

Policia britanike për kapjen e tij kërkoi edhe ndihmën e publikut përmes programit televiziv Crimewatch  në  BBC1. Megjithëse në kërkim nga drejtësia shqiptare, Dëfrim Isiberi në vitin 2011 kishte postuar një video në YouTube duke luajtur futboll.

Nga kjo video policia angleze mundi të përftojë një imazh të ri se si dukej i shumëkërkuari drejtësisë shqiptare. Isiberi në Angli përdorte një identitet të rremë nën emrin Agim Mema. Arratia e tij 23-vjeçare do të merrte fund disa ditë më parë. Ndaj tij në gjykatën londineze kanë nisur procedurat e ekstradimit.