400 kilogramë kokainë me vlerë 60 milionë dollarë u sekuestruan brenda ambasadës ruse në Buenos Aires. 6 persona u arrestuan të mërkurën në një operacion të shtrirë në Argjentinë e Rusi kundër një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Ministrja argjentinase e Sigurisë Patrisia Bullriç tha se mes të arrestuarve është edhe një ish-pjesëtar i përfaqësisë diplomatike ruse në Buenos Aires. Ai i kishte hyrë garant grupit të trafikantëve për të kaluar kokainën përtej oqeanit drejt Rusisë, duke shfrytëzuar statusin e tij të diplomatit për të shmangur kontrollet.
Droga në ambasadë u sekuestrua më 13 dhjetor, pas një denoncimi të bërë nga ambasadori rus, Viktor Koroneli.
Policia zbuloi 16 pako kokainë në shkollën që është pjesë e kompleksit të ambasadës. Por për të zbuluar porositësit, droga u zëvendësua me miell. Në njërën prej pakove u vendos një detektor për të ndjekur rrugën që do të bënte droga. Lënda narkotike u shoqërua në avion nga disa zyrtarë doganorë argjentinas, të cilët u ngritën kurth pritësve të saj në Moskë.