Tentativat për të trafikuar drogë nëpërmjet portit të Durrësit drejt vendit fqinj nuk kanë të ndalur. Sërish trafikantët e radhës kanë përdorur të njëjtën taktikë duke e fshehur drogën brenda kamionëve me lëndë drusore.

Rreth 69 kg kanabis sativa janë zbuluar nga Policia Kufitare dhe Sektori për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Doganën që mbikëqyr sistemin e skanerit, duke vënë në pranga dhe një 26-vjeçar, që është drejtuesi dhe pronari i kamionit.

Në kuadër të goditjes së rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, më datë 23.12.2015, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Klajdi Toçi, 26 vjeç, banues në Elbasan.

“Më datë 23.12.2015, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në mjetin kamion me targa AA 494 KN, me drejtues dhe pronar shtetasin e mësipërm, në brendësi të ngarkesës me lëndë djegëse drusore (PELET) iu gjetën 64 pako me peshë rreth 69 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa”, njofton policia.

Materialet do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë.