Vasil Aleksi është 18-vjeçari i besimit ortodoks që kapi kryqin e bekuar paraditen e sotme në Durrës. Kjo nuk është hera e parë që adoleshenti arrin me sukses ta kryejë këtë ritual të shenjtë të Ditës së Ujit të Bekuar, pasi arriti ta kapë edhe në vitin 2023. Duke sfiduar temperaturat e ulta të këtij fillim janari, i riu nga Durrësi u hodh në ujërat e Adriatikut, së bashku me 4 të rinj të tjerë.

“Herën e parë kur e kapa kryqin më ka sjellë shumë mbarësi! Jam shumë i lumtur që e kapa sërish”,– deklaroi 18-vjeçari.

Dita e Ujit të Bekuar ka mbledhur me dhjetëra besimtarë ortodoksë në Katedralen e apostul Pavlit dhe shën Astit, të cilët ndoqën meshën e mbajtur me rastin e kësaj feste mjaft të rëndësishme për besimtarët ortodoksë në të gjithë botën.

Pasi falën meshën e mëngjesit në kishë, ata mbushën shishet me ujin e bekuar, i cili do të qëndrojë për një vit në shtëpitë e tyre.

Të shoqëruar nga tingujt e bandës së qytetit, karvani i besimtarëve u nis drejt portit, ku u krye rituali i përvitshëm i Ditës së Ujit të Bekuar.

M.B.