Mançester Junajtid rikthehet te fitorja pas dy sfidash dhe parakalon Njukasëllin në vendin e tretë të renditjes. Suksesi 2-1 ndaj Kristal Palasit gjithsesi është paguar shumë shtrenjtë, duke qenë se blerja më e rëndësishme e verës së vitit 2022, Kasemiro, papritur çmendet dhe vendos të hyjë në një sherr me Uill Hjuxhsin, duke e kapur me duar nga fyti dhe sheh përpara syve kartonin e kuq.Më saktë, ishte VAR-i ai që detyroi kryesorin për këtë veprim, duke qenë se atij i kishte shpëtuar ndoshta ky episod.Dhe në Angli, përjashtimi direkt nga fusha do të thotë 3 ndeshje skualifikim dhe te Junajtid e dinë mirë se një luks të tillë nuk është se e kanë, aq më tepër në një moment kaq të nxehtë të sezonit dhe luftës së ndezur për zonën “Champions”.

Një shtytje nervoze ndaj Entonit u pagua shtrenjtë nga Junajtid dhe Kasemiro, ndonëse ish-sulmuesi i Anglisë, Gabi Agbonlahor, nuk ngurroi që t’i japë doza më serioze gjithçkaje që ndodhi në fushë. “Kasemiro mendoi se ishte Bruk Lesnar në një ring të UFC-së, duke parë mënyrën se si po e shtrëngonte nga fyti Hjuxhsin. Dhe unë mendoj se për atë që bëri duhet të arrestohet. Ka shumë fëmijë që shohin ndeshjet nga tribunat dhe nga televizori dhe që të gjithë panë teksa ai rrezikonte të mbyste në mënyrë të frikshme një kundërshtar. Kasemiro, por edhe ndonjë tjetër duhet të kuptojë se ky nuk është hokej mbi akull në Amerikë, ku është normale që të shpërthejnë sherret në një ndeshje. Ky është futboll dhe gjëra si këto duhen shmangur. Shpresoj që Kasemiro të ndëshkohet edhe nga klubi, pas kartonit të kuq të arbitrit”, tha Agbonlahor.