Humbja me Flamurtarin në Vlorë nuk ka lënë një shije të mirë për "Djemtë e detit", që tani kërkojnë të kthehet te fitorja në ndeshjen me Kamzën.
Përballë është një kundërshtar direkt për mbijetesë dhe bregdetarët nuk e mendojnë një tjetër hap fals. Lajmi i mirë për stafin teknik është rikthimi i Gjeorgjievskit dhe Hilës në dispozicion, ndërkohë në dyshim mbetet Ante Hrkaç, edhe pse qendërmbrojtësi është stërvitur normalisht.
Kapiteni Arbër Çyrbja thotë se situata në skuadër është pozitive, pavarësisht humbjes në fundjavë, ndërsa theksoi se Teuta nuk mund të gabojë dy herë radhazi.
"Në Vlorë e nisëm shumë mirë ndeshjen, madje më mirë seç e kishim menduar duke shënuar të parët, por më pas e gjithë situata mori një rrjedhë tjetër. Pësuam një gol të evitueshëm, ndërsa më pas u futëm në presion dhe kundërshtari diti ta shfrytëzonte këtë moment jo të mirë tonin. Pavarësisht dëshirës dhe impenjimit, në fund humbëm. Duhet ta harrojmë sa më parë dhe të mendojmë vetëm për Kamzën, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme", u shpreh Çyrbja.
Kamza – "Është një kundërshtar që meriton respekt për atë që ka bërë në pjesën e parë të kampionatit, tani rrezikon ashtu si ne, por ka një ekip cilësor. Duhet të futemi në fushë me objektivin për ta fituar ndeshjen, por në asnjë moment, duke mos e nënvlerësuar rivalin".
Barazimi – "Nuk e diskutojmë fitoren, pasi çdo rezultat tjetër do të na afronte më shumë me Kategorinë e Parë dhe e kundërta. Ndaj theksoj se ne duam vetëm fitoren, ndonëse e dimë që na pret një ndeshje e fortë, por me mbështetjen edhe të tifozëve do t’ia dalim".
Shpërfytyrimi në Vlorë – "Realisht as ne vetë nuk e kuptuam çfarë ndodhi në ato minuta, reaguam vonë ndërsa nuk ishim më të qartë. Nëse do të kishim shënuar atë penallti, gjërat do të ishin ndryshe, megjithatë jemi koshient se nuk kemi bërë një ndeshje të mirë".
Trajneri kundërshtar – "Është një trajner i ri, por me shumë dëshirë. I uroj sukses në aventurën e re, por të dielën fitojmë ne sepse kemi nevojë jetike për pikë".
Presion pas humbjes – "Nuk ka presion në ekip, pasi përveçse e kemi kuptuar ku kemi gabuar në atë ndeshje, ne kishim tri mungesa të mëdha. Nuk dua të justifikohem, por tre lojtarë formacioni mos jenë të gatshëm, janë shumë".
E ardhmja – "Objektivi im primar është të mbyll sezonin me Teutën dhe skuadra të sigurojë qëndrimin në Superiore, më pas do të flasim me drejtuesit. Nuk mund ta fsheh faktin se të luaj në një ligë më të fortë jashtë vendit më tërheq shumë, por të shohim".





