Kapitene të ardhshme apo eksperte të çështjeve detare? Dy studentet e degës së navigacionit në UAMD, Erjeta Berisha dhe Edvina Turra i kanë idetë e qarta. Tashmë që dy vajzat nga Durrësi janë në vit të tretë të shkollës së lartë, ato nuk janë penduar për asnjë moment pse zgjodhën këtë degë, që kryesisht ka qenë e dominuar nga meshkujt. Erjeta madje kishte nisur infermierinë, por dashuria për detin, trashëgimia familjare dhe dëshira për të mos u larguar nga Shqipëria e shtynë drejt navigacionit.

Ndërsa Edvina, në momentin që zbuloi se e kishte fituar navigacionin, nuk pa më nëse ishte shpallur fituese edhe në degë të tjera, sepse zemra e saj pikërisht këtë dëshironte.

Erjeta Berisha po e projekton veten e saj si një kapitene e ardhshme. Nxënësja ekselente ndihet krenare që tashmë edhe femrat janë shumë të suksesshme në profesionet që lidhen me detin.

Ndërsa Edvina, e bërë mama pak kohë më parë, i sheh si të pamundura udhëtimet e gjata në det. Studentja e navigazionit po e projekton veten tek një punë në port ndoshta në të ardhmen, duke e lidhur kështu jetën e saj pazgjidhshmërisht me detin. Sinkron

Mbështetja e familjes ka qenë një shtysë shumë e fortë për të dy vajzat dhe siç rrëfejnë edhe vetë për “DurrësLajm” arritjet e tyre në këtë degë janë edhe falë suportit që ata marrin prej njerëzve të tyre të afërt.     

Me njohuritë e marra përgjatë këtyre 3 viteve dhe simulimet e situatave të ndryshme detare në laboratorin e navigacionit, vajzat janë gati për tregun e punës. Nuk do të jetë e largët dita, që ato do t’i shohim të realizuara në profesion dhe pse jo, emra të njohur në fushën e detarisë.   

M.B.