Teuta vijon me serinë e barazi meve, ku as në ndeshjen e fundit nuk arriti të dilte me fitore ndaj Laçit në Durrës, pavarësisht dominimit në fushën e lojës.Renato Arapi u shpreh se skuadrës durrsake po i mungon vetëm fati, pasi ekipi krijon raste dhe volum loje.

Ai shpreson që ndaj Apolonisë ekipi ta kalojë ngërçin e të hyjë në rrugën që të gjithë presin. Arapi ka dhe një mesazh dhe për “xhaketat e zeza”. Mbrojtësi shtoi se ka ardhur koha që edhe gjyqtarët e futbollit të mos jenë më të dypunësuar, sepse kjo dashje pa dashje krijon konflikt interesi.

Tjetër barazim ndaj Laçit. Çfarë nuk shkoi?

Mund të them me plot gojën që bëmë gjithçka shumë mirë. Thjesht fati nuk ishte me ne.

Mendoni se duhet ta kishit mbyllur ndeshjen pasi shënuat shpejt?

Në fakt, një nga vështirësitë më të mëdha vijnë nga mbyllja e ekipeve në 35 metrat e fundit të fushës së tyre, duke parë që me të gjitha ekipet që kemi luajtur, kemi dominuar në çdo aspekt. Thjesht duhet të përmirësojmë lëvizjet sulmuese dhe të rrisim shpejtësinë e veprimeve në metrat e fundit të fushës.

Ndaj Laçit u dha një penallti kundër dhe ju mohuan dy. Çfarë komenti keni?

Në fakt, nuk ishte vetëm kjo ndeshja e parë që jemi penalizuar dhe më duhet të them që ka ardhur koha që edhe gjyqtarët e futbollit të mos jenë më të dypunësuar, sepse kjo dashje pa dashje krijon konflikt interesi, duke mos anashkaluar edhe mungesën profesionale që shumë nga ata kanë (jo të gjithë).

Kështu që, në këtë kontekst ka ardhur koha që ashtu siç futbollistët edhe klubet çdo ditë e më shumë po përmirësojnë dhe mundohen të jenë profesionist ashtu edhe për gjyqtarët e futbollit ka ardhur koha që të behën profesionist edhe të përqendrohen vetëm te një punë.

Fakti që nuk po fitoni, sa e ka rënduar psikologjikisht skuadrën?

Për hir të së vërtetës, ekipi jo vetëm që nuk është rënduar, por përkundrazi jemi plot entuziazëm për të vazhduar luftën tonë deri në fund. Sigurisht që këtë entuziazëm na e sjellin lojërat e mira që kemi bërë.

A mund të themi se ndeshja me Apoloninë në Fier mund të jetë pikë kthese për kampionatin e Teutës?

Kështu besoj edhe unë, që ndeshja me Apolonin do jetë ndeshja e kthesës për ne për të vazhduar më tej me ndeshjet që do të vijnë. Vllaznia ka shkuar 9 pikë para.

E sheh të rikuperueshme këtë diferencë apo është e vështirë?

Duke parë që janë edhe 84 pikë në lojë sigurisht që është një diferencë e rikuperueshme, sepse me dy fitore radhazi mund të afrohesh afër kreut, por siç mund të ndodhë edhe e kundërta në rast së ndonjëra nga këto ekipe qe janë në krye çedojnë.