Zhvillimi i sektorit turistik ndër të tjera kërkon mbështetjen e lundërtarëve me Shërbime Hidrografike. Dy format më klasike të kontributit të këtij shërbimi për rritjen e sigurisë gjatë lundrimit në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, janë hartat detare si dhe sistemi i sinjalistikës lundrimore.

Vitet e fundit vendi ynë ka shënuar progres në drejtim të Shërbimeve Hidrografike për bregdetin shqiptar. Sot, Shërbimi jonë Hidrografik në bashkëpunim me Institutin e Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake prodhon harta detare me standarde ndërkombëtare. Hartat Shqiptare janë në dispozicion të lundërtarëve në formë elektronike. Ky shërbim ofrohet në bashkëpunim me Kompaninë Norvegjeze Primar, e cila është kompani lider në këtë fushë dhe mbulon rreth 90% të tregut të hartave detare elektronike.

Brigjet e Jonit dhe Adriatikut po bëhen gjithmonë e më tepër destinacione të frekuentuara nga anijet turistike. Për të mbështetur një lundrim të sigurtë për këtë kategori lundërtarësh, Shërbimi Hidrografik Shqiptar është drejt finalizimit të një marrëveshje me një kompani të huaj, e cila mundëson mbështetjen e lundrimit me aplikacione lundrimi të thjeshta për t’u përdorur.

Një element kryesor për sigurinë lundrimore është dhe sinjalistika detare. Ajo është e shtrirë përgjatë bregdetit shqiptar dhe shërben për orientimin e lundërtarëve dhe rritjen e sigurisë së lundrimit. Mbajtja në gatishmëri e këtij sistemi është një sfidë e përditshme për stafin e Shërbimit Hidrografik.

Drejtuesi i këtij shërbimi, Kapiteni i Rangut III, Emrush Bejdo, shprehet se edhe pse shërbimet hidrografike janë të kushtueshme, vendi ynë ka marrë një sërë masash për modernizimin e këtij shërbimi me pajisje dhe personel të kualifikuar. Një pjesë e mirë e këtij personeli janë trajnuar në Norvegji, Holandë dhe Itali. Që nga viti 2018, në bregdetin shqiptar janë montuar katër sisteme moderne për monitorimin e baticë-zbaticës, të cilët kanë një rol kyç në pasqyrimin e të dhënave të sakta në prodhimin e hartave detare. Një nga projektet më ambicioze që po zhvillohet është dhe kompletimi i këtij shërbimi me një anije të re hidrografike. Rëndësia që ka marrë zona e Porto Romanos me portin e hidrokarbureve dhe transferimin në vitet të vazhdim të portit tregtar në këtë zonë e ka kthyer në domosdoshmëri prodhimin e hartës për këtë pjesë të bregdetit të Durrësit.

Bejdo sqaron për “DurrësLajm” se “është në proces dhe do të dalë shumë shpejt harta e gjirit të Porto Romanos, e cila prodhohet për herë të parë, si dhe përditësimi i hartës për portet e Durrësit dhe Vlorës”.

Lidhur me ecurinë e këtij shërbimi në vitet e fundit në faqen zyrtare të Shërbimit Hidrografik Norvegjez shkruhet: “Shqipëria përmbush detyrimet e saj ndërkombëtare në përputhje me Kapitullin 5 (Siguria Lundrimore), rregulloren Nr.9 (Shërbimi Hidrografik) të Konventës Ndërkombëtare për Sigurinë e Jetës në Det (SOLAS)”. https://www.kartverket.no/en/about-kartverket/international-services/albania