Barcelona humbi në transfertën e Real Sociedadit, por gjithashtu iu anuluan dy gola, ai i Fermin Lopez dhe Lamine Jamal. Për golin e këtij të fundit ka pasur shumë polemika në rrjetet sociale, pasi në pamjet që po qarkullojnë vihet re, se nuk ka pozicion jashtë loje dhe goli duhet të ishte i rregullt. Për këto situata kanë folur trajneri Hansi Flik dhe kapiteni Frenki de Jong. De Jong foli me zë të lartë dhe qartë për performancën arbitruese të Gil Manzanos: “Është e pabesueshme çfarë na bëri ky arbitër sonte.

Unë jam kapiteni, duhet të më lejohet të flas. Por jo, ai më shikon sikur është më i mirë se unë. Ai më injoroi. Ai thjesht qeshi dhe më shikoi me një fytyrë që dukej sikur është më i mirë se unë. Vazhdova të përpiqesha t’i thoja arbitrit se po humbnin kohë, se ai duhet të shtonte më shumë kohë… por jo. Kjo është e pabesueshme. Nuk mund të them asgjë tjetër.” Ndërsa trajneri i Barçës ra dakort me ato që tha kapiteni i skuadrës: “Kjo është ajo që ai tha dhe jam dakord. Unë nuk do të shpenzoj kohë ose energji për këtë fakt, të cilin e panë të gjithë”, foli shkurtimisht gjermani.