DURRES, 30 mars 2013 – Kapiteni i kroçerës “Costa Voyager”, Xhovani Kosini, gjatë një prononcimi për mediat njoftoi gjithë hapat e operacionit të shpëtimit të dy të rinjve. Kosini tha se gjatë operacionit deti ishte i trazuar pasi dallgët shkonin rreth 1 metër e gjysmë, ndërkohë që 2 peshkatarët nuk kishin fuqi të ngjiteshin në bord me këmbët e tyre.
“Sot në mëngjes rreth orës 7:10 jam njoftuar nga oficeri i rojës që kishte parë dy persona duke kërkuar ndihmën, kemi ulur shpejtësinë dhe jemi afruar, për 5 minuta ishim gati ti shpëtojmë. Deti ishte i trazuar rreth 5 ballë, dallgë 1 metër e gjysmë. Oficeri zbriti në ujë dhe mori djemtë, ishin të lagur dhe të ftohur dhe nuk ngjiteshin dot me këmbët e tyre në bord. Nuk e di nëse e prisnin ti shpëtonim. Ishin të frikësuar. I gjetëm rreth 12 milje larg Durrësit. Ne njoftuan kapitenerinë e Durrësit, por operacioni i shpëtimit zgjati 5 minuta dhe nuk kishte nevojë për ndërhyrjen e tyre. Njoftuam turistët në bord dhe i thamë se po merremi më një operacion humanitar. Ne kemi kryer operacione shpëtimi në botë, por në Shqipëri është hera e parë”, sqaroi Kapiteni i kroçerës Costa Voyager ” , Xhovani Kosini
Ndërkohë, dy peshkataret Gëzim Bashllari dhe Fatmir Ismailaj pas mbërritjes në port dhe kontrollit mjekësor po i nënshtrohen një seance pyetjesh nga policia. Të rinjtë po merren në pyetje për të sqaruar situatën si dhe cfarë kanë bërë ata gjatë 24 orëve që rezultuan të zhdukur.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





