Autoriteti Portual Durrës bën me dije përmes një njoftimi se Kapiteni i Rangut të Tretë (Rez.) Alfred Velaj, do të drejtojë Forcën e Sigurisë në Portin e Durrësit.
Me një eksperiencë 21-vjeçare në Forcen Detare, si komandues detar në nivele të ndryshme dhe komandant i shërbimit Hidrografik shqiptar, i spikatur për kontributin dhe profesionalizimin në ushtrimin e detyrës, Kapiteni i Rangut të Tretë (Rez.) Alfred Velaj, do të drejtojë Forcën e Sigurisë Portuale në Portin më të madh të vendit.
Ish-Komandanti i Shërbimit Hidrografik Shqiptar, Alfred Velaj u diplomua në Akademinë e Detarisë në vitin 2002 dhe fillimisht shërbeu në Distriktin Detar të Durrësit si komandant katrisilurues, komandant motovedete, komandant i anijes “Iliria” (P-131) dhe komandant i Grupit të Dytë Patrullues.
Pas specializimit në Institutin e Hidrografisë Italiane në Xhenova, Kapiteni Velaj shërbeu në Shërbimin Hidrografik dhe nga vitet 2017 deri daljen në rezervë, si komandant i tij. Gjatë karrierës së tij ai ka kryer një mision ndërkombëtar në Detin Egje, si dhe ka kryer edhe shumë detyra në nivel shtabi, në Distriktin Detar dhe Forcat Detare.
Me edukim solid në të drejtën e detit, sigurinë dhe logjistikën detare, ai ka ndjekur disa kurse kualifikimi në SHBA, Itali dhe Gjermani, zotëron disa gjuhë të huaja. Për kontributin e tij në 21 vjet karrierë në Forcat Detare, Velaj është dekoruar me katër medalje të veçanta dhe disa medalje karriere.
Kontributi i tij ka qenë i spikatur sidomos gjatë periudhës që ka drejtuar Shërbimin Hidrografik, ku implementoi me sukses Projektin ALNO-HIP me Norvegjinë, morri dhe përdori me profesionalizëm Anijen Hidrografike “Shqiponja” (A-82), zhvilloi disa fushatat rilevuese në bregdetin shqiptar, përfundoi, në bashkëpunim me IGJIU-në, hartën elektronike dhe kartografike të të gjithë bregdetit shqiptar, u arrit marrëveshja me PRIMAR dhe është gati marrëveshja me Admiraliatit Britanik, por mbi të gjitha përpjekjet këmbëngulëse për heqjen e shënimit “ish-zona të minuara detare” nga hartat e bregdetit shqiptar të Admiraliatit Britanik.