Teuta e nis fazën e dytë në transfertë, përball Bylisit. Skuadra e trajnerit Martini ka mbyllur dje përgatitjet dhe është gati për këtë sfidë, ku kërkon të ruajë serinë e rezultateve pozitive. Mungon për shkak dëmtimi mbrojtësi Artan Jazxhi, ndërsa pjesa tjetër është e gatshme. Kapiteni Blerim Kotobelli thekson se Teuta do të kthehet me pikë edhe nga Ballshi.
Kotobelli, si do ta vlerësonit fazën e parë për skuadrën tuaj?
Mund të them me bindje të plotë se faza e parë shkoi mjaft mirë. Kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe kemi marrë pikë të rëndësishme, që na mbajnë aty afër kreut të renditjes. Lajmi i mirë është që nuk kemi pasur dëmtime dhe kështu kemi pasur mundësinë të punojmë me grup të plotë.
Çfarë prisni nga dueli i radhës me Bylisin në transfertë?
Është e vështirë, e dimë, por duam që edhe me Bylisin të vijojmë me rezultate pozitive. Kuptohet që çdo ndeshje është një histori më vete dhe e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, pavarësisht vendit të fundit. Jemi përgatitur seriozisht, sepse nuk është e lehtë.
Ka presion te Teuta për të marrë pikët e plota në këtë sfidë?
Ne e dimë që në çdo ndeshje ka presion dhe në çdo ndeshje kërkojmë maksimumin. Por jemi të qetë. Me presion shpesh ndodhin gjëra jo të këndshme. Kemi motivimin e duhur, jemi një grup i ri, kështu që kemi durim dhe besim, por jo presion.
Kujt i druheni më shumë dhe çfarë vlerësoni më shumë nga kundërshtari?
Bylisi ka një ekipi cilësor dhe nuk mund ta nënvlerësojmë. Teuta gjithsesi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje ta rrisë performancën dhe duam patjetër të kemi sukses.
Deri ku mund të shkojë skuadra këtë sezon?
Jemi ende herët për të dhënë verdikte. Tani nis faza e dytë dhe na presin ndeshje të vështira. Mendoj se do t’i arrijmë ato objektiva që kemi, pasi kemi shumë ndeshje përpara.