Teuta fitoi pastër 0-2 me Tiranën në “Air Albania” dhe mori një rezultat të çmuar në garën për mbijetesën. Kapiteni i Teutës, Emiljano Vila, qëndron me këmbë në tokë për sa u përket ndeshjeve dhe rezultateve. Kapiteni thotë se kjo ishte një shenjë e mirë, pasi skuadra ruajti vazhdimësinë në kampionat. Kapiteni bëri paraqitjen e tij për herë të parë pas një muaji dhe shënoi dy gola “të florinjtë”. Një rikthim ëndrrash.
Dominim total ndaj Tiranës dhe tri pikë për Teutën. Sa e rëndësishme ishte kjo arritje?
Jemi skuadra më kompetitive e fazës së tretë. E morëm me përqendrim dhe vlerësim maksimal ndeshjen përballë Tiranës dhe luajtëm vetëm për fitoren e radhës. Ishim gjithë ndeshjen superiorë dhe ata patën vetëm një rast në minutën tretë. Në këto momente nuk na duhet loja, por pikët.
Fitoni ndaj një rivali si Tirana, mendoni se Teuta do të jetë një prej pretendentëve për Europë?
Kjo ndeshje na jep moral në vazhdimësi. Është gjë e mirë që fituam ndaj një rivali të fortë, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Është shumë herët për të folur për këtë, ne thjesht duhet t’i marrim ndeshjet me radhë.
Si e keni kaluar këtë periudhë të vështirë dëmtimi?
Nuk mund të kisha pasur një rinisje më të mirë. Jam i lumtur që u ktheva dhe ky është një fillim i shkëlqyer. Është shumë mirë që u ktheva në fushë, pasi kalova një periudhë të vështirë, por tanimë ajo i përket së shkuarës.
Mendoni se do të kishit me pak hapësira në formacion pasi u bëtë kohë jashtë fushës për shkak të dëmtimit?
Jo, se shoh kështu. Ne jemi një familje e madhe, ku unë pavarësisht se nuk isha gati, shokët bënë mirë. Me rëndësi për ne është rezultati ekipor, më pas luaj apo jo unë, e vendos trajneri me stafin e tij.
A e kishit menduar që dy golat e parë sezonalë do t’ia shënonit Tiranës?
Jam shumë i lumtur që u riktheva në fushë dhe arrita të shënoja dy gola. Me erdhi mirë që golat e mi ishin ruajtur për këtë ndeshje, pasi ishte shumë e rëndësishme të merrnim tri pikët.