Teuta ka dalë kokulur nga “Selman Stermasi”. Ajo që ka rënë në sy, veç humbjes së thellë, 5-1, është edhe ruajtja e disa lojtarëve, që me një karton tjetër pezulloheshin për sfidën e javës së 31-të, të cilën durrsakët do ta luajnë me Flamurtarin. Një finale mbijetese, që duhet fituar me patjetër.

Ngaqë kishte problem me dhëmbët, trajneri Gugash Magani nuk ka dalë para gazetarëve, pas përballjes me Partizanin, por ka nxjerrë ndihmësin e vet, Xhevahir Kapllanin, i cili nënvizoi ndër të tjera: “Besoj se e kishim përgatitur mirë ndeshjen, të paktën për të marrë një pikë. Ndaj Partizanit u kushtëzuam edhe nga 2-3 lojtarë, që kishin nga dy kartonë të verdhë, ndaj i ruajtëm të mos pezulloheshin. Duhet të kuptoni se kjo nuk ishte ndeshja jonë, por ajo e javës së ardhshme ndaj Flamurtarit, një rival direkt për mbijetesë, ku do të kërkojmë tri pikët, për t’u shpëtuar vendeve të fundit të renditjes. Si Dita, edhe Hila kishin probleme me gjurin, ndaj menduam t’i ruajmë për ndeshjen e ardhshme. Kurse për Sykajn menduam të mos e niste nga fillimi, pasi kishte dy kartonë të verdhë dhe donim ta ruanim për ndeshjen tjetër. Pse nuk luajnë bashkë Magani dhe Ribaj, në sulm? Duke parë edhe modulin që ne aplikojmë, 4-2-3-1, Magani shpenzoi energji dhe u ndie pak i lodhur, kështu që menduam ta ndërrojmë kokë për kokë me Ribajn. Të dy bashkë nuk munden me këtë skemë. Mbijetesa? Sikur të kishim marrë një pikë sot, do të mendonim për gjëra të tjera. Kurse tani mendojmë se ndaj Flamurtarit duhet të hyjmë në fushë për të marrë tri pikët e të shpëtojmë një herë e mirë nga fundi”.