Kompania lider në Shqipëri në tregun e lubrifikantëve, “Kappa Oil”, merr pjesë në panairin më të rëndësishëm tregtar në botë për industrinë e shërbimeve të automobilave, “Automechanika Frankfurt 2022”.

Panairi u çel sot në Frankurt dhe do të mbahet për 5 ditë me radhë deri më 17 shtator, ku mes 5.000 ekspozuesve, ka ngritur edhe stendën me produktet e saj, e vetmja kompani nga Shqipëria, “Kappa Oil”.

Krenar Lasko, Presidenti i kompanisë “Kappa Oil”, thotë për “DurrësLajm”, se Shqipëria është prezente në tregun botëror me produktet më cilësore të garantuara pikërisht nga ekspertët më të mirë gjermanë.

Ai thekson se janë prej 30 vitesh në treg dhe “Kappa Oil” në mbi 35 vende eksporton markën e saj si një garanci për konsumatorin duke e kaluar në “filtrat” botërorë të certifikimit në gamën e lubrifikantëve.

Lasko, tregon ndër të tjera në këtë intervistë për “DurrësLajm”, se “Kappa Oil”, me aktivitet në importimin, prodhimin dhe tregtimin e lubrifikantëve, i ka fokusuar investimet edhe në një tjetër drejtim, përmes “Kappa Ghepard”, si efekt i kërkesës së tregut.

Fabrika ndodhet në autostradën Durrës-Tiranë, dhe po prodhon çdo vit e më shumë tapete gome dhe mokete për automjete, ku peshën më të madhe e merr eksporti.

“Të dyja kompanitë janë konsoliduar në tregun shqiptar me një portofol të gjerë produktesh, të cilat nisin nga lubrifikantët për mjete motorike e ato të reja e deri te mjetet e marinës, bujqësore dhe industriale.”

Ndërkohë kriza post-pandemike, që preku ekonominë globale, u reflektua tek të gjitha bizneset sipas Laskos, me rritje të kostove dhe rritje të kërkesës për lëndë të para. Edhe lufta në Ukrainë gjatë këtij viti, e kanë bërë tregun në përgjithësi më sfidues.

“Kjo është reflektuar me rritje çmimesh nga partnerët tanë, e cila për pasojë reflektohet edhe në çmimin e konsumatorit final dhe si efekt i këtyre zhvillimeve mund të them se në tërësi, në treg, është vënë re tkurrja e shitjeve si në shumicë, edhe në pakicë.

Në tregun e lubrifikantëve, kompania mbulon 42% të nevojave që ka vendi sot. Njëkohësisht jemi aktivë me ofrimin e baterive, filtrave për automjete dhe tapiceritë dhe moketet e automjeteve. Këto të fundit prodhohen në fabrikën tonë, ku rreth 87% e prodhimit është për eksport”, pohon Krenar Lasko.

Zgjerimi i bashkëpunimeve me tregjet ndërkombëtare

Duke pasur parasysh ndryshimet drastike në ekonominë globale, si pasojë e rritjes së kostove për çdo sektor ekonomik, “Kappa Oil” ka insistuar për të disatën herë të tentojë në tregjet globale.

“Kappa Oil” ishte në muajin maj të këtij viti në Bolonja (Itali) ku u zhvillua edicioni i 29-të i panairit më të madh të automobilave, “AutoPrometec 2022”. Pas përfundimit të panairit të Frankfurtit në Gjermani, pjesëmarrja e “Kappa Oil” në ngjarje të tilla nuk ndalet me kaq, pasi pritet të jenë prezentë gjithashtu në Paris (Francë), Stamboll (Turqi) apo Dubai, duke i parë si një urë të mirë komunikimi për lidhjen e kontratave me vende të ndryshme nëpër botë.

Falë pjesëmarrjes në këto evente, “Kappa Oil” ka lidhur kontrata afatgjata në Angli, Portugali, Slloveni, Itali, Bjellorusi, shtete të ndryshme afrikane, Marok apo Egjipt. Kompania e prodhimit të tapeteve dhe moketeve eksporton sot 87% të prodhimit të saj, ndërsa pjesa tjetër shitet brenda vendit, kryesisht nga bashkëpunimi që kanë me koncesionarët.

Çfarë është panairi Automechanika 2022 Frankfurt, Germany

Automechanika Frankfurt është panairi kryesor tregtar në botë për industrinë e shërbimeve të automobilave. Automechanika do të zhvillohet nga data 13 deri më 17 shtator 2022.

Panairi zhvillohet që nga viti 1971 dhe mbahet çdo dy vjet, i organizuar nga Messe Frankfurt.

“Automechanika Frankfurt” është një panair që sjell pranë vetes me stenda kompani lider në botë përsa i përket fushës së lubrifikantëve si Castrol, BP, L. Moly, Petronas etj.

Automechanika bashkon industrinë, shitjen me pakicë dhe punëtoritë së bashku në një vend. Eventi i fundit tërhoqi 5,000 ekspozues, rreth 135,000 vizitorë tregtarë nga 184 vende.

I madh por i arritshëm: Rreth 5000 ekspozues vijnë në panair për të shfaqur zhvillimet e tyre më të fundit. Falë strukturës së qartë të ambienteve të ekspozitës dhe sistemeve të udhëzimit të vizitorëve, nuk do të keni asnjë problem të gjeni atë që kërkoni.

S.L.