Pothuajse gjithë jetën na është thënë: “për kapsllëk duhen më shumë fibra”. E vërtetë… por nuk mjafton. Këtë e theksojnë udhëzimet e reja të King’s College London, që i rikthehen një problemi shumë të përhapur: kapsllëku kronik prek gati një në shtatë persona në botë.

Sipas studiuesve, nuk ka rëndësi vetëm sasia e fibrave, por cilat fibra zgjedh dhe si i merr gjatë ditës. Me pak fjalë, jo të gjitha fibrat funksionojnë njësoj. Më efektivet për të nxitur lëvizjen e zorrëve gjenden te buka e thekrës, kumbullat e thata, kivi dhe madje edhe te uji mineral. Krahas ushqimit, udhëzimet pranojnë edhe rolin e suplementeve me psillium dhe disa lloje probiotikësh, që ndihmojnë lëvizshmërinë dhe ekuilibrin e zorrëve.

Mesazhi kryesor: për të luftuar kapsllëkun kronik nuk mjafton “shto fibra” në mënyrë të përgjithshme, e aq më pak të mbështetesh vetëm te laksativët. Çelësi është kombinimi i fibrave të duhura me hidratim të mirë dhe zakone të qëndrueshme.

Çfarë thonë udhëzimet e reja të King’s College London
Udhëzimet, të miratuara edhe nga British Dietetic Association, synojnë t’u japin mjekëve dhe pacientëve një qasje më konkrete dhe më shkencore ndaj kapsllëkut kronik. Nuk bëhet më fjalë për një “bezdi të vogël”, por për një gjendje që ul cilësinë e jetës dhe rrit kostot shëndetësore.

Deri tani, këshilla standarde ishte thuajse gjithmonë e njëjtë: rrit fibrat dhe pij më shumë ujë. Rezultati? Jo gjithmonë i kënaqshëm. Tani, bazuar në mbi 75 studime klinike, një grup dietologësh, gastroenterologësh, fiziologësh dhe mjekësh familjeje ka përgatitur 59 rekomandime dhe 12 prioritete kërkimi për të ardhmen.

Në qendër të tyre:

lloji i fibrës
cilësia e ushqimeve
mënyra dhe ritmi i marrjes gjatë ditës
Dhe për herë të parë, udhëzimet vënë emër konkret mbi ushqimet që duket se bëjnë më shumë diferencë.

Cilët ushqime ndihmojnë më shumë te kapsllëku kronik?
Studiuesit veçojnë disa “aleatë” kryesorë për zorrën e bllokuar:

Kivi
Për të ndihmuar sistemin tretës, rekomandohet konsumi i tre kivive në ditë, idealisht në mëngjes me stomak bosh, të shoqëruar me një gotë ujë.

Kivi përmban fibra dhe enzima që:

nxisin lëvizjen e zorrëve
ndihmojnë tretjen
reduktojnë fryrjen abdominale
Ashtu si me çdo ushqim të pasur me fibra, këshillohet të futet gradualisht në dietë që trupi të ketë kohë të përshtatet.

Buka e thekrës
Buka e bërë me miell thekre është e pasur me:

vitamina të grupit B
magnez, hekur, kalium
antioksidantë nga kokrrat integrale
Falë përmbajtjes së lartë në fibra të tretshme dhe jo të tretshme, ndihmon:

rregullsinë e zorrëve
ekuilibrin e mikrobiotës intestinale
Sipas udhëzimeve, efektet janë më të dukshme kur konsumohet rregullisht, brenda një diete të balancuar. Sasia e sugjeruar në studime: rreth 6–8 feta në ditë, sigurisht duke marrë parasysh edhe pjesën tjetër të ushqimit ditor.

Kumbullat e thata
Kumbullat e thata janë një klasik për kapsllëkun – dhe shkenca duket se i jep të drejtë famës së tyre. Studimet tregojnë se konsumimi i rreth 80 gramëve kumbulla të thata në ditë:

rrit në mënyrë domethënëse nivelet e bifidobaktereve “të mira”
nxit lëvizjen e zorrëve
përmirëson diversitetin e mikrobiotës pa ndikuar negativisht në peshë
Duke qenë se zorrët lidhen edhe me gjendjen emocionale (mikrobiota prodhon neurotransmetues që ndikojnë te humori, gjumi dhe motivimi), kujdesi për to është investim si për trupin, ashtu edhe për mendjen.

Uji mineral
King’s College thekson edhe rolin kyç të hidratimit, sidomos me ujë mineral. Personat që pijnë pak ujë kanë më shumë gjasa të vuajnë nga kapsllëku, edhe kur janë përndryshe të shëndetshëm.

Të pish të paktën 1.5 litra ujë në ditë ndihmon:

shpejtimin e zbrazjes së stomakut
lehtësimin e kalimit të masës fecale në zorrë
reduktimin e fryrjes dhe ngurtësisë së jashtëqitjes
Edhe në dimër, kur ndjenja e etjes bie, hidratimi mbetet kritik për zorrën.

Psillium: fibra suplementare që funksionon
Psilliumi (lëvorja e farës së Plantago ovata) është një nga suplementet natyrale më të studiuara për kapsllëkun. Si fibër e tretshme, ai:

thith ujë në zorrë
rrit vëllimin dhe zbut jashtëqitjen
ndihmon lëvizjen më të rregullt të zorrëve
Për ta përdorur siç duhet:

duhet marrë gjithmonë me shumë ujë
duhet të jetë pjesë e një stili jetese aktiv dhe me ushqim të rregullt
Udhëzimet e King’s College dhe BDA e rekomandojnë si mjet efektiv, por theksojnë se, si çdo suplement, duhet përdorur me mend dhe, kur është e nevojshme, në konsultim me mjekun ose dietologun.

Probiotikë të zgjedhur, jo “çdo kavanoz në raft”
Jo të gjithë probiotikët janë njësoj. Udhëzimet theksojnë se disa lloje specifike mund të ndihmojnë te kapsllëku kronik.