DURRËS, 18 tetor 2014–  Karabinierët barezë kontrolluan apartamentin e një pensionisti italian 66 vjeçar në rrugën “Via di Vagno” në zonën ndërmjet Lagjes Madonella dhe Lagjes Japigia duke gjetur në të, një arsenal të tërë armësh. U gjetën edhe 190 kg kokainë e pastër, dhjetra kilogramë përzierës droge të llojeve të ndryshme, një presë për paketimin e kokainës, peshore precizioni etj.

Arsenali i armëve të kapura përbëhej nga 21 pistoleta gjysmë automatike, 7 revolverë të kalibrave të ndryshëm,7 silenciatorë për pistoleta dhe pushkë, 1 jelek antiplumb, 48 karikatorë të tipeve e kapaciteteve të ndryshme, mijëra fishekë automatiku, pushke e pistolete të kalibrave të ndryshëm, 3 pistoleta automatike prodhim çekosllovak të markës “Skorpio”, 1 automatik gjerman tip MP 40 i kohës së Luftës së dytë Botërore, dy automatikë të prodhimit kroat, një pushk kal. 20 mm anti-personel dhe anti-material e prodhimit kroat si edhe 6 automatikë kallashnikovë, kopje shqiptare të automatikut kinez mod.56.

Karabinierët po hetojnë, nëse këto armë janë përdorur për të kryer krime, si edhe mënyrën e hyrjes së tyre në Itali. Për kallashnikovët shqiptarë mendohet se kanë mbërritur në Itali, nëpërmjet trageteve të linjave detare Bari-Durrës apo edhe në bordin e anijeve tregtare e barkave të peshkimit, që lidhin brigjet shqiptare me ato italiane.

 

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/