DURRËS, 31 tetor 2014–  Vjedhja e energjisë elektrike pavarësisht se paraqitet si një fenomen tipik shqiptar, nuk rezulton si i tillë. Hajdutë dritash ka edhe në Itali. Kuptohet të tillë hajdutë janë në jug të italisë në zonat kodrinore, malore të Rajonit të Kalabrisë, ku spikasin ngulimet arbëreshe si psh. Spezzano Albanese, Caraffa del Bianco, por edhe në komuna të banuara nga italianët si psh. Fanjano Kastelo (Fagnano Castello) apo Sant Agata di Esaro.

Karabinbierët në bashkëpunim me specialistët e ENEL (ekujvalenti i KESH-it shqiptar) në komunën e Karafa del Bianko (Caraffa del Bianco) çuan për ndjekje penale në gjendje të lirë për vjedhje energjie elektrike një 49 vjeçar pronar i një firme të zonës. Ai do përgjigjet jo vetëm për vjedhje të energjië elektrike, por do zhdëmtojë ENEL-in për rrymën e vjedhur për një periudhë 5 vjeçare. Vjedhja kryhej duke instaluar afër matësit elektrik një magnet të vogël. Vjedhja shkonte në 88% të energjisë së konsumuar.

 Në ngulimet arbëreshe vjedhja bëhej më pak e sofistikuar, tipike alla shqiptarshe. Krahas lidhjes , që kryenin specialistët e ENEL-it, kryeshin lidhje të reja të kundërligjshme, duke u furnizuar kështu me energji elektrike pa kaluar nga matësi d.mth. duke e vjedhur rrymën. Një rast tipik ishte edhe ai i një bari në qendër të qytezës së Fanjano Kastelos, që me lidhje të dyfishtë me rrjetin vidhte nergji elektrike sipas qejfit.

Përvoja shqiptare si e vjedhjes të energjisë elektrike ashtu edhe e përdorimit të policisë kundër hajdutëve të rrymës tashmë e ka kaluar Adriatikun duke u eksportuar edhe në vendet e BE-së.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/