Itali, 24 prill 2014 – Karabinierët e qytetit të Forlisë arrestuan një punëtor shqiptar, 41 vjeçar për dhunë në familje. Ai u përball me akuzën e dhunës së rëndë e sistematike në familje. Ky baba padron e rrihte herë pas here të shoqen edhe në sy të dy fëmijëve të vet. Ai e kishte kërcënuar gruan madje edhe me thikë.

Ky farë babai ushtronte dhunë dhe poshtëronte gjithashtu edhe dy fëmijët e tij. Për t’i poshtëruar fëmijët 8 dhe 9 vjeç, ai i detyronte ata t’i puthnin këmbët në shenjë nënshtrimi ndaj babait. Më në fund e shoqja mori guxim dhe e denoncoi në karabinieri për një dhunë kafshërore, që vazhdonte prej 12 vjetësh. E shoqja në denoncimin e saj theksonte faktin se ai kishte filluar ta rrihte, që në fejesë dhe kishte vazhduar deri në rastin e fundit, kur ajo e denoncoi në karabinieri.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/