50 metra larg bashkisë, në mes të lagjes nr.3, ngre krye prej vitesh kjo karakatinë.
Dikur lokal, tashmë prej vitesh një godinë e braktisur, shpesh e përdorur edhe si banjo publike nga ndonjë që e zë halli në rrugë.
Ndonjë endacak e përdor si ‘shtëpi’ gjatë natës, pasi nuk mungojnë gjurmët e rrobave të hedhura apo sfungjerëve të ndotur, që përdoren si dyshek.
Kalimtarët që kalojnë përgjatë saj nuk kanë sesi mos të ndjejnë erën e rëndë që përhapet në ajër nga përdorimi si tualet në qiell të hapur.
Të gjithë durrsakët e njohin këtë vend me emrin ‘Trekëndëshi’. Këto ditë pranvere është hijeshuar nga lulet e kumbullës që e rrethojnë dhe sikur ia zbehin sadopak shëmtinë.
Çdo ditë aty kalojnë me dhjetëra automjete të zyrtarëve të bashkisë. Në lokalin përballë qëndrojnë me orë të tëra emra të njohur të degës lokale të Partisë Demokratike të Durrësit.
Besoj se të gjithë e shohin, por askujt nuk i bën më përshtypje sepse janë mësuar prej vitesh me këtë pamje.
Nëse godina do të ishte shembur dhe e gjithë hapësira do të ishte kthyer në lulishte të mirëfilltë, qytetarët e Durrësit do të thonin: Bravo.
Të mësuar vitet e fundit me investime miliona euro në qendër të Durrësit, investime që shumë janë kontestuar dhe pak kush nga qytetarët po ia sheh frutet, zyrtarët e bashkisë harrojnë se për të bërë gjëra në të mirë të komunitetit nuk nevojiten gjithnjë shumë para.
Nganjëherë mjafton vetëm vullneti i mirë për të shembur një karakatinë në mes të Durrësit dhe sistemuar një lulishte e cila është thuajse gati, pasi pemët dhe bimët dekorative tek ‘Trekëndëshi’ nuk mungojnë.
Ashtu të harlisura nga mungesa e vëmendjes ndaj tyre, ato pemë e bimë krijojnë një mini kurorë të gjelbërt në qendër të qytetit.
Nëse për një moment, Erion Veliaj dhe Vangjush Dako do të ndryshonin vendet, jam e sigurt që lali Eri do të angazhonte ndërmarrjet në varësi të bashkisë për ta transformuar këtë vend. Jo vetëm për t’i dhuruar qytetit një mini hapësirë të gjelbërt (për të cilat Durrësi ka aq shumë nevojë), por edhe për të treguar para mediave dhe qytetarëve se bashkia punon…
M.B.





