Tiranë, 23 korrik 2014 – Qeveria përcakton distancat për benzinatat në autostrada, rrugë dytësore dhe zona të banuara. Me anë të një vendimi të veçantë Këshilli i Ministrave ka përcaktuar zonat e shërbimit dhe vendosjen në rrjetin rrugor të karburanteve duke respektuar distancat e përcaktuara sipas zonave.
Për autostradat, minimumi 15 km dhe maksimumi 60 km nga aksi i simetrisë së pompave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes.
Ndërsa për rrugët interurbane kryesore, minimumi 10 km nga aksi i simetrisë së pompave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes.
Ndërkohë është përcaktuar që për rrugët interurbane dytësore, minimumi 6 km nga aksi i simetrisë së pompave të furnizimit me karburant të njërës zonë në aksin e simetrisë së pompave të furnizimit me karburant të zonës së mëpasme, në drejtim të njëjtë të lëvizjes.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për rrugët urbane kryesore, jo më pak se 500 m midis ekstremiteteve të njëjta të zonave të njëpasnjëshme. Kjo distancë kuptohet si rreze e matur ndaj çdo drejtimi në rrafshin horizontal dhe për rrugët urbane dytësore dhe lokale, jo më pak se 250 m midis ekstremiteteve të njëjta të zonave të njëpasnjëshme.
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar kriteret e ndërtimit të karburanteve për autostradat dhe rrugët interurbane, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 10 metra nga kufiri rrugor.
Kufiri rrugor është fundi i pronësisë rrugore ose trupi i rrugës, referuar titujve të pronësisë dhe brezave të shpronësimit sipas projektit të miratuar. Në mungesë të tyre, kufiri formohet nga vija e jashtme e hendekut të sigurimit të kanalit, kur ai ekziston, ose përkatësisht nga vija e sipërme dhe e poshtme e skarpatës, nëse rruga shtrihet në terren të pjerrët.
Për rrugët urbane dhe komunale, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 6 metra nga kufiri i rrugës dhe për rrugët lokale, zonat e shërbimit vendosen në një distancë jo më të vogël se 7 metra nga kufiri i rrugës.
Ndërkohë që zonat e shërbimit duhet të respektojnë një distance prej 30 m nga pompa e shpërndarjes së karburantit deri në çdo pikë të perimetrit të godinave publike, spitale, qendra mjekësore, objekte fetare, shkolla, kopshte, çerdhe, azile, institucione publike, stadiume, godina me vlera historike dhe godina të tjera ku mund të strehohen apo të qëndrojnë mbi 50 persona.
Sipas VKM-së zonat e shërbimit duhet të kenë distancë nga kryqëzimet rrugore minimumi 1 mijë metra, për rrugët interurbane kryesore, 300 m për rrugët interurbane të tjera, dhe 30 m për rrugët urbane.
Nuk lejohet vendosja e zonave të shërbimit në qendrat e banuara me qarkullim të kufizuar të mjeteve apo në rrugët me trafik këmbësorësh e biçikletash dhe rrugë me korsi të ngushta në të cilat pengohet trafiku prej hyrjes dhe daljes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





