Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu shkruan sot se për shkak të mungesës së oksigjeneratorëve në spitalin shtetëror nuk kryhen dot operacionet në zemër. Sipas tij, shumë pacientë janë detyruar të shkojnë në spitalet private.
“Ardhjet me “hope” të materialeve thelbësore e jetësore mjekësore, apo dhe të medikamenteve, kanë goditur këtë herë edhe kardiokirurgjinë në QSUT. Prej javësh ai aktivitet shumë i rëndësishëm mjekësor është bllokuar prej faktit se mungojnë oksigjeneratorët, një material ky i domosdoshëm për shumicën e operacioneve në zemër e enët kryesore të gjakut.
Dhe ajo sasi shumë e vogël oksigjenatorësh e ruajtur nga shërbimi nuk siguron dot as nevojat e plota të urgjencës mjekësore, jo me ato të një aktiviteti normal. Pa dyshim këtu e pësojnë:
1- Së pari pacientët, që nuk janë të paktë në numër e seriozë përsa i përket patologjive.
Një pjesë e tyre në bazë të mundësive financiare janë të detyruar të drejtohen tek privati, me pagesa të larta nga xhepi. Asnjë rimbursim nga shteti dhe për këtë situatë anormale të krijuar nga mos funksionimi i institucioneve shtetërore.
2- Por kjo gjendje prek edhe shërbimin e kardiokirurgjisë si pasojë e të tilla ndërprerjeve shumë të dëmshme për atë.
Përfitoj nga rasti për të përshëndetur kolegët e personelin e Kardiokirurgjisë, që me vullnetin e aftësitë e tyre, pavarësisht këtyre pengesave e vështirësive, që u krijohen nga kjo mjekësi “falas” në Shqipëri, po zhvillojnë këtë shërbim. Dhe aktualisht janë tejet të shqetësuar përsa po ndodh”, shprehet në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale, deputeti demokrat, Tritan Shehu.