Xhemi Karrager e ka quajtur fitoren e fundit e Liverpulit ndaj PSG-së si një nga vjedhjet më të mëdha në futboll, pasi ish-mbrojtësi i “Reds”-ave lavdëroi paraqitjen mahnitëse të portierit Alison Beker. Liverpuli siguroi një fitore dramatike 1-0 kundër kampionëve në fuqi të Francës, në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve në Paris. Harvi Eliot shënoi golin e fitores në minutën e 87-të për skuadrën e Arne Slotit, me të vetmen gjuajtje të Liverpulit në portë, vetëm 47 sekonda pasi hyri nga stoli. “Reds”-at u dominuan gjatë gjithë ndeshjes së parë në “Parc des Princes”, me PSG-në që realizoi 28 goditje në total, përfshirë 9 në portë.
Skuadra e Luis Enrikes pa që t’i anulohej edhe një gol në pjesën e parë nga Khviça Kvaratshkelia për pozicion milimetrik jashtë loje, por ishin heroizmat e portierit Alison ato që e mbajtën skuadrën franceze larg. Duke folur për “CBS Sports”, Karrager tha se rezultati ishte një “grabitje”: “Kjo është një nga grabitjet më të mëdha që do të shihni ndonjëherë në futboll. Nuk mund ta besoj atë që sapo kam parë. PSG ishte absolutisht e jashtëzakonshme. Ata e dërrmuan Liverpulin”. Herën e fundit që Liverpuli fitoi Ligën e Kampioneve, Alison bëri një pritje vendimtare kundër Napolit në ndeshjen e fundit në grup dhe nëse Napoli do të kishte shënuar, atëherë anglezët mund të ishin eliminuar.
“Ky është parë gjithmonë si një moment përcaktues. Kjo nuk mund të quhet se ishte një ndeshje ku ai shpëtoi portën, kjo ishte padyshim performanca më e mirë e karrierës së tij, sigurisht me fanellën e Liverpulit. Nëse Liverpuli fiton kompeticionin, për të cilin ata kanë shanse të mëdha, ajo performancë do të mbahet mend për vitet në vazhdim”. Alison bëri nëntë pritje gjatë mbrëmjes së të mërkurës, duke përfshirë pritjen nga Kvaratshkelias në katër raste. Braziliani i mohoi golin dy herë Osman Dembelesë gjithashtu dhe Desire Duesë. Por Vitinja beson se PSG e ka forcën për të shkuar dhe fituar në “Anfield”. “Tani është momenti të tregojmë se çfarë skuadre jemi. Do ta tregojmë karakterin atje, do shkojmë të fitojmë në ‘Anfield”, tha portugezi.