DURRES – Një zgjedhje e konsideruar si e gabuar që në krye të herës nga demokratët e Durrësit është riparuar në fillim të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Kur fushata premton të jetë më agresive se kurrë më parë për të fituar dhe mbajtur pushtetin, zgjidhja e shumëdëshiruar e drejtuesve të selisë blu në Durrës erdhi përmes një dorëheqjeje të parevokueshme, lotëve të Eglantina Bekteshit dhe zgjedhjes së Armand Telitit në krye të Këshillit të Qarkut Durrës.
Pa pjesëmarrjen në votim të këshilltarëve të majtë, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile është zgjedhur në postin e Kryetarit të Këshillit të Qarkut me 30 votat e këshilltarëve të “Aleancës për Qytetarin”. Kjo zgjedhje vjen si riparim i një “gabimi” të bërë në vjeshtën e vitit 2011, ku pavarësisht ngërçit politik që parapriu konstituimin, përzgjedhja e kandidaturës së Eglantina Bekteshit në krye të Qarkut të Durrësit u konsiderua nga drejtuesit lokalë të Partisë Demokratike si një goditje e papritur dhe e pandryshueshme për momentin.
Shkurtimi i organikës nga ana e Bekteshit menjëherë pas ardhjes në detyrë, largimi nga puna i disa personave pa marrë në konsideratë lidhjet dhe njohjet e tyre me drejtuesit e partisë ishte një tjetër shuplakë për ta. Sinjalet për pakënaqësitë ndaj saj, për qëndrimin e saj jo agresiv ndaj kundërshtarëve politikë dhe ruajtjen e njëfarë pavarësie ndaj orientimeve që vinin nga lart qenë dhënë me kohë. Këshilli i Qarkut u vu në shënjestër, bashkë me bashkinë e Durrësit për mosmenaxhim të mirë të projekteve të fituara nga programet IPA të Bashkimit Europian. Pritej vetëm çasti i duhur.
I sapozgjedhuri Teliti ishte deklaruar si personi që do të merrte në dorë drejtimin e këtij organi të nivelit të dytë të pushtetit vendor në Durrës dy vjet më parë, por u desh që kryetarja Eglantina Bekteshi, e përzgjedhur nga lideri i pozitës, të mbushë moshën për pension që të krijohej terreni për zëvendësimin e saj. Që në verën e vitit 2011, kreu i Gjendjes Civile Armand Teliti ishte i vetmi kandidat potencial për të drejtuar Këshillin e Qarkut, post që u përfol se po i ofrohej dhe si shpërblim për angazhimin konkret në hartimin e listave të zgjedhësve në kryeqytet. PS-ja e akuzoi në atë periudhë se bashkë me zv/ministrin e Brendshëm Ferdinand Poni kishin manipuluar listat e votuesve për të siguruar fitoren në bashkinë e Tiranës.
Megjithë përpjekjen e bërë nga ish-kryetari i Këshillit të Qarkut në atë periudhë Seit Kërtusha për të pasur dhe një mandat të dytë, përballja me Telitin rezultonte e pasuksesshme. Krerët lokalë të partisë e mënjanuan kandidaturën e Kërtushës si mundësi për zgjedhjen në krye të qarkut për të dytën herë. Ishte rradha eTelitit, që kishte marrë bekimin e emrave të njohur të partisë, po vendimi përfundimtar e la jashtë. Më 8 dhjetor të vitit të kaluar, kryetarja e Këshillit të Qarkut Eglantina Bekteshi ka mbushur moshën për pension.
Sot, jo pa emocion, ajo deklaroi se ka bërë kërkesë për dorëheqje të parevokueshme nga ky post dhe theksoi se kërkesën e ka bërë me vullnetin e saj të lirë. Nuk ishte aspak i nevojshëm një theksim i tillë, por ajo e bëri për të shmangur gojët e liga se e detyruan të dalë në pension. A duhet ta pranonte dikush dorëheqjen?! Procedura vazhdoi me futjen e shpejtë në rend të ditës së zgjedhjes së kryetarit të ri, që nuk u pranua nga të majtët.
Kryetari i bashkisë së Shijakut, Indrit Buka deklaroi se dorëheqja ishte e papritur dhe nuk duhej nxituar pasi dhe ata kishin nevojë për disa ditë kohë për të propozuar një tjetër kandidaturë për postin e lënë bosh nga kryetarja e dorëhequr. Edhe të djathtët përmes këshilltarit Klodjan Pajuni deklaruan se dorëheqja ishte e papritur edhe për ta, po Këshilli i Qarkut nuk mund të qëndronte pa kryetar. Jashtë derës, qëndronte zv/ministri Ferdinand Poni për të përshëndetur zgjedhjen e papritur të Telitit. Forca e dorës së ngritur dhe vullnetit të partisë triumfoi.





